EMRAT+VIDEO/ Mashtrim me investimet në bursa, 2 persona të arrestuar dhe 3 nën hetim në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Fake Promise”, i realizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare. Ky operacion bëri të mundur arrestimin e pronarit dhe administratorit të një subjekti call center që dyshohet se ka mashtruar shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.

Në përfundim të operacionit, janë arrestuar në flagrancë shtetasit Olisjo Planaj, 22 vjeç, pronar i subjektit, dhe Erdi Muça, 25 vjeç, administrator. Po ashtu, janë proceduar në gjendje të lirë tre operatore, J.B., 36 vjeçe, S.Gj., 27 vjeçe, dhe Xh.M., 30 vjeçe, të punësuara në këtë subjekt.

Gjatë hetimeve është zbuluar se Muça menaxhonte një call center në rrugën e Dibrës, i cili nuk ishte regjistruar në organet kompetente. Shtetaset operatore, në bashkëpunim me administratorin, telefononin shtetas të huaj dhe prezantoheshin si agjentë shitjesh, duke i mashtruar për t’i bindur ata të investonin në faqen “Coin Tracking”, e cila reklamonte investime fiktive.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 5 njësi kompjuterike, 7 aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar.

Njoftimi:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Fake Promise”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomik dhe Financiar, në DVP Tiranë.

Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga pronari dhe dmininstratori i subjektit.

Si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 shtetase(operatore).

Sekuestrohen 5 njësi kompjuterike, 7 aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe të mirëorganizuar finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fake Promise”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– O. P., 22 vjeç, banues në Tiranë, pronari i një subjekti call center;
– E. M., 25 vjeç, administratori i një subjekti call center.

Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë shtetaset J.B, 36 vjeçe, S.Gj, 27 vjeçe, dhe Xh.M, 30 vjeçe, të punësuar si operatore në këtë subjekt.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E.M, 25 vjeç, administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin E.M., në rrugën e Dibrës. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuar si operatorë shtetaset e lartpërmendura, të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, dhe u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në faqen “Coin Tracking” faqe kjo ku gjendeshin fondet që ishin rekuperuar. 

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 5 njësi kompjuterike, 7 aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.