VIDEO+EMRAT/ Hakmarrje për sherrin e Palasës? Të maskuar me kapuç, dhunuan 48-vjeçarin në një berberhane. Arrestohen 2 persona, 4 të tjerë në kërkim

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 5 Janar, ku persona të maskuar u futën në një berberahne dhe rrahën brutalisht me sende të forta 48-vjeçarin Adriatik Roshi, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Një prej autorëve të dyshuar është biznesmi Artur Koçeku, i cili njihet si Tur Koçeku dhe zyrtarisht ka zgjedhur të vetëquhet Luçiano Koçeku, teksa ka qenë protagonist dhe i disa ngjarjeve të tjera të mëparshme, siç ishte sherri i ndodhur gjatë verës, në një lokal të një prej resorteve më të njohura në bregdetin e jugut.

Autoritetet raportojnë se për dhunimin e Adriatik Roshit, në kuadër të operacionit të koduar “Details”, janë arrestuar dy prej autorëve dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Më konkretisht në pranga janë vënë shtetasit: Gani Koçeku, 24 vjeç dhe Ledio Tusha, 31 vjeç (Nipi i Tur Koçekut). Ndërkohë, në kërkim janë shpallur shtetasit Ronald Koçeku, Luçiano Artur Koçeku, Gëzim Koçeku dhe Dino (Abedin) Koçeku.

Gjatë kontrollit në banesat e tyre, uniformat blu kanë sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe një armë gjahu, që i posedonin këta shtetas, dy automjete dhe disa veshje që kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Details”.

Identifikohen 6 shtetasit që goditën me sende të forta, një 48-vjeçar, në një berberhane, 2 ditë më parë. Vihen në pranga 2 prej tyre, punohet për kapjen e 4 të tjerëve.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu, që i posedonin këta shtetas, 2 automjete dhe disa veshje që kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të një konflikti të ndodhur më datë 05.01.2025, si pasojë e të cilit u dëmtua më sende të forta shtetasi A. R., 48 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, Komisariati i Policisë Nr. 3 ka finalizuar operacionin e koduar “Details”.

Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

1 armë zjarri pistoletë, me leje, që u gjet në banesën e shtetasit L. T.;
1 armë gjahu, që u gjet në banesën e shtetasit D. K.;
2 automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje;
Veshje që dyshohet se kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes, të cilat u gjetën në njërin prej këtyre automjeteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.