VIDEO/ Dita e Ujit të Bekuar, kremtimi i festës në qytete të ndryshme

Ditën e sotme, besimtarët ortodoksë në Durrës kremtuan Ditën e Ujit të Bekuar, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit kishtar. Ceremonia nisi në Kishën Ortodokse të qytetit për të zhvilluar ritualet fetare dhe më pas besimtarët marshuan drejt Portit të Durrësit, ku është zhvilluar pjesa më e veçantë e ceremonisë.

Të rinjtë nga Durrësi garuan për të kapur kryqin e shenjtë, i cili u hodh në ujërat e detit nga një prift. Për të evituar incidente të mundshme, autoritet kishin marrë masat me prani të shtuar të mjeteve lundruese dhe personelit mbështetës. Vasil Aleksi, 18 vjeç, u shpall fituesi i garës së Durrësit, për kapjen e kryqit të shenjtë.

Rituali është kryer edhe në qytetin e Lezhës, ku dhjetëra besimtarë katolikë iu bashkuan ritualit fetar në katedralen e “Shën Nikollit”, ku u bë bekimi i ujit.

“Për katolikët kjo ditë është dëftimi i Jezu Krishtit”, tha ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, imzot Otavio Vitale, sipas të cilit përmes ujit marrim një bekim të veçantë prej Zotit.

Dita e Ujit të Bekuar është kremtuar edhe në qytetin e Beratit. Ceremonia filloi herët në Kishën e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, prifti i Beratit, imzot Asti, me kryqin në dorë dhe nën tingullin e këmbanave të Kishës, përshkoi pedonalen e qytetit dhe iu drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin, simbolin e kësaj feste. Megjithë temperaturat e ulëta dhe lumin e rrëmbyeshëm, 7 të rinj janë hedhur në ujin e ftohtë për të kapur kryqin. Kryqi u kap nga 16-vjeçari Konstandin Boçi për të dytin vit radhazi.

Ndërkohë, Kisha e Shën Gjergjit, në Fier, e organizoi hedhjen e kryqit në ujë në shatërvanin në sheshin “Europa” ku ky ritual është i përvitshëm. Ishte 17-vjeçari Samuel Kola ai që nxori kryqin nga uji në këtë ritual ku merrte pjesë për herë të parë.

Epifania u kremtua sot edhe në Vlorë. I ftohti i detit u sfidua nga tre persona, ndërsa kryqi u kap nga Bledi Dhima, ndërkohë, mesazhi i urimit është përcjellë edhe nga At Konstandin Prifti.

Kryqi u hodh në ujë edhe në qytetin e Korçës, ku komuniteti i besimtarëve ortodoksë është i shumtë në numër. Në këtë qytet, gara e kapjes së kryqit u zhvillua në njërin nga shatërvanet e qytetit.

Edhe Famullia Ortodokse “Shë Nikolla” Elbasan festoi sot Ditën e Ujit të Bekuar. Besimtarët kishin ardhur për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore si dhe për të marrë nga uji i bekuar.

Me pas të drejtuar nga Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Imzot Andoni, së bashku me klerikët dhe besimtarët u nisën për tek ambientet e kompleksit “Ajek” për të hedhur Kryqin në ujë. Kryqin këtë vit e kapi riu Emanuel Sholla.