Njeriu më i moshuar në botë është një murgeshë 117-vjeçare që adhuron futbollin
Një murgeshë nga Brazili, e cila adhuron futbollin, besohet të jetë personi më i moshuar në botë, duke arritur gati 117 vjeç dhe duke ia atribuuar jetëgjatësinë e saj besimit të palëkundur katolik.
LongeviQuest, një organizatë që gjurmon super njëqindvjeçarët në mbarë botën, publikoi një deklaratë të shtunën, duke shpallur motër Inah Canabarro-n si njeriun më të moshuar në botë, të vërtetuar përmes të dhënave të hershme të jetës së saj.
Murgesha, e cila tani lëviz me karrocë, u kurorëzua si personi më i moshuar në botë pasi Tomiko Itooka vdiq në Japoni në moshën 116-vjeçare, me 26 dhjetor 2024.
Djali i nipit të saj e viziton çdo të shtunë dhe i dërgon mesazhe zanore ndërmjet vizitave për ta mbajtur të motivuar pas dy shtrimeve në spital të gruas së moshuar.
"Motrat e tjera thonë se ajo ndien një emocion të madh kur dëgjon zërin tim," tha ai. "Ajo gëzohet shumë."
Canabarro lindi më 8 qershor 1908, në një familje të madhe në jug të Brazilit, sipas hulumtuesve të LongeviQuest.
Por nipi i saj tha se regjistrimi i lindjes së saj u bë me dy javë vonesë dhe se ajo në të vërtetë kishte lindur më 27 maj 1908.
Kur ishte adoleshente, ajo iu përkushtua punës fetare dhe kaloi dy vjet në Montevideo të Uruguait para se të transferohej në Rio de Janeiro dhe përfundimisht të vendosej në shtetin e saj të lindjes, Rio Grande do Sul.
Për ditëlindjen e saj të 110-të, ajo u nderua nga Papa Françesku. Ajo është murgesha e dytë më e moshuar e dokumentuar, pas Lucile Randonit, e cila ishte njeriu më i moshuar në botë deri kur vdiq në vitin 2023 në moshën 118-vjeçare.
Së bashku me përkushtimin ndaj besimit të saj të përjetshëm, ajo është një tifoze e zjarrtë e klubit lokal të futbollit Inter.
Klubi, i cili u themelua pas lindjes së Canabarros, feston çdo vit ditëlindjen e saj si tifozja më e vjetër.
Dhoma e saj është e dekoruar me dhurata në ngjyrat e kuqe dhe të bardha të ekipit, tha nipi i saj.
"I bardhë apo i zi, i pasur apo i varfër, kushdo që je, Inter është ekipi i popullit," tha ajo në një video të postuar në rrjetet sociale duke festuar ditëlindjen e saj të 116-të me presidentin e klubit. / Fox News - Syri.net


