Janullatos mbetet në gjendje kritike për jetën, vizitohet në spital nga ministri grek i Arsimit dhe Çështjeve Fetare
Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, mbetet kritike pasi shëndeti i tij është përkeqësuar seriozisht, shkruan CNN grek. Ai ndodhet i shtruar në spitalin ‘Ungjëllizimi” në Athinë që nga data 3 janar.
Sot, Janullatos u vizitua nga ministri i Arsimit dhe Çështjeve Fetare të Greqisë, Kyriakos Pierrakakis, i cili u informua për ecurinë e shëndetit të kryepeshkopit.
Të dielën, më 5 janar, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, dhe Kryepeshkopi Jeronimos i Athinës dhe i gjithë Greqisë vizituan spitalin "Evangelismos" (Ungjellizimi) për t'u informuar mbi gjendjen shëndetësore të Kryepeshkopit 95-vjeçar. Ekipi mjekësor i spitalit që kujdeset për të drejtohet nga profesoresha e Pulmologjisë dhe Kujdesit Intensiv, Anastasia Kotanidou e cila vijon monitorimin e tij.
Kryepeshkopi Anastas u transportua nga Tirana në Athinë më 3 janar, me një avion të Forcave ushtarake greke. Fillimisht, ai ishte shtruar në një spital në Tiranë më 30 dhjetor për shkak të një gripi sezonal, por përkeqësimi i gjendjes së tij e bëri të nevojshme transferimin e tij në një spital në Athinë.

