Parlamentarizmi i 2024-s në “lupën” e Anila Bashës, Ben Andonit, Esiona Konomit, Enton Abilekajt e Mentor Kikisë

Viti që lamë pas shënoi një periudhë të tensioneve të larta, debatesh dhe përplasjeve që shpesh kaluan kufijtë e politikës dhe u shndërruan në kriza kushtetuese.

Gazetarët dhe analistët Enton Abilekaj, Anila Basha, Ben Andoni, Esiona Konomi dhe Mentor Kikia, i kanë dhënë vlerësimin e tyre jetës parlamentare të vitit 2024, duke analizuar për "Ora News" ngjarjet dhe zhvillimet më të rëndësishme.

Opozita, e drejtuar nga Partia Demokratike, me liderin e saj në arrest shtëpie për pjesën më të madhe të vitit, realizoi dy aksione parlamentare, një në fillim dhe një në fund të vitit. A ishin këto aksione të ligjshme dhe a tejkaloi PD kufijtë e protestës legjitime? Analistët ndajnë mendime të ndryshme mbi këtë çështje.

Një tjetër ngjarje që trazoi ujërat ishte mandati i deputetes socialiste Olta Xhaçka, e cila solli një përplasje të fortë politike dhe një krizë kushtetuese. Dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që mbetën të pa implementuara, pasi mazhoranca argumentoi se vota e deputetit është e paprekshme, ndërsa një opinion i Komisionit të Venecias u interpretua sipas interesave politike të momentit. Ajo që është e qartë për të gjithë analistët është kjo: vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë çështje për diskutim, ato janë për zbatim!

Në një tjetër kthesë të papritur, Lindita Nikolla dha dorëheqjen nga posti i Kryetares së Parlamentit, duke u larguar nga detyra pak ditë para Kongresit të Partisë Socialiste. Ky akt ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve dhe i hapi rrugë një ristrukturimi të qeverisë, me kryeministrin Edi Rama që përfitoi nga ky moment për të pastruar gjysmën e kabinetit. 

Megjithatë, pyetjet rreth dorëheqjes dhe udhëheqjes së re parlamentare mbetën pa përgjigje. A pati sukses Elisa Spiropali në përpjekjen për të dominuar opozitën? Fillimi ishte premtues, por fundi la shumë për të dëshiruar.

Komisionet “Xhafaj” dhe “Dezinformimi” u shndërruan në qendrat e debateve të forta. Kritikët akuzuan mazhorancën se po tentonte të ndërhynte në sistemin e drejtësisë dhe të kufizonte lirinë e medias, ndërsa socialistët u betuan për transparencë të plotë, duke theksuar se kërkesat për këto komisione vinin nga miqtë ndërkombëtarë. Por a ishin ato thjesht një mundësi për të vendosur kontroll mbi drejtësinë dhe median? Mbetet të shihet.

Dhe ndërsa parlamenti i Shqipërisë miratoi qindra ligje gjatë vitit 2024, me seanca që shpesh zgjatën deri në orët e para të mëngjesit, realiteti i sallës ishte i ftohtë: shumicën e kohës, ajo mbeti e zbrazët. A arriti Kuvendi të realizonte misionin e tij – të krijonte ligje që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe rregullojnë marrëdhëniet e shoqërisë? A mundi ai të ofronte më shumë se vetëm sasi dhe procedura?

Shtatori i vitit 2025 do të sjellë një Kuvend të ri, që do të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Do të ketë një risi në parlament, apo do të vazhdojnë sherret e përditshme të politikës të dominojnë gjithçka? Mbetet për t'u parë pas 11 majit...