Teliti: Borxhi publik për frymë është dyfishuar në 12 vite, tregues i shpërdorimit qeveritar rilindas

Në një status në rrjetet sociale, koordinatori për programin ekonomik në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka ngritur akuza ndaj qeverisjes, duke e cilësuar dyfishimin e borxhit publik për frymë, si një tregues të shpërdorimit qeveritar në këto 12 vite.

Teliti ka renditur fakte që sipas tij, dëshmojnë keqmenaxhimin e financave publike.

Gjithashtu, Teliti kritikoi rëndimin e kësaj barre financiare mbi qytetarët, duke nënvizuar se pavarësisht rritjes së borxhit, vendi ende përballet me mungesa infrastrukturore dhe shërbimesh bazë.

Në përfundim, Teliti ftoi qytetarët të votojnë më 11 maj kundër, siç e cilësoi ai, “modelit rilindas të shpërdorimit” dhe pro një modeli ekonomik që do të mbështesë zhvillimin dhe mirëqenien.

Më poshtë statusi i Telitit:

DYFISHIMI I BORXHIT PUBLIK PËR FRYMË NË 12 VITE, TREGUES I SHPËRDORIMIT QEVERITAR RILINDAS!

Gjatë këtyre 12 viteve, keqmenaxhimi i financave publike ka qenë kryefjala e qeverisjes Rama.

Fakt 1: Në 1 janar 2013 borxhi për frymë ishte 289 mijë lekë.

Fakt 2: Në 1 janar 2025 borxhi për frymë është 586 mijë lekë.

Pavarësisht se je pensionist apo një foshnje e porsalindur, janë plot 5.900 euro borxh që rëndon në kurrizin e çdokujt, barrë kjo që do e shoqërojë secilin prej nesh gjatë jetës tonë dhe jo vetëm.

Dyfishohet borxhi për frymë në vetëm 12 vite, ndërkohë fakti që sot ende s’kemi një infrastrukturë rrugore dinjitoze, ende kemi shkolla me dy turne, ende kemi qytete pa spitale, etj, flet shumë për shpërdorimin financiar të kryer gjatë këtyre 12 viteve.

Ndaj në 11maj cdokush ka një arsye më shumë për të votuar kundër modelit rilindas të shpërdorimit dhe duke votuar pro një modeli ekonomik e financiar që shtron dhe mbështet rrugën e zhvillimit.

Vetëm 129 ditë na ndajnë nga ndryshimi i madh.

#ekonomiaepara #votondryshimin #votoPD