Tabaku uron shqiptarët për Vitin e Ri: 2025-a, viti i shpresës dhe ndryshimit për Shqipërinë

Në prag të ndërrimit të viteve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku përcjell një urim për të gjithë shqiptarët, duke reflektuar mbi sfidat e vitit 2024 dhe duke ndarë shpresat e saj për vitin 2025.

“Viti 2024 ka qenë një vit i vështirë për ekonominë, për xhepat e shqiptarëve, për familjet dhe për shumëkënd”, thotë Tabaku në mesazhin e saj.

Ajo e vë theksin te rritja e çmimeve dhe ulja e të ardhurave familjare, që sipas saj kanë rënduar jashtëzakonisht mbi jetën e qytetarëve.

Sipas saj, vitin që lamë pas, pensionistët, mbi 800 mijë vetë, mezi kanë arritur të mbulojnë shpenzimet mujore, duke jetuar pa dinjitetin që meritojnë.

Edhe rinia shqiptare, tha Tabaku, është përballur me vështirësi të shumta.

“Për shumë familje shqiptare, muajt janë mbyllur me vështirësi, ndërsa për 800 mijë pensionistët tanë, mbijetesa është bërë një sfidë e përditshme, pa dinjitetin që u takon.

Ka qenë një vit i vështirë për Shqipërinë, me shumë qytetarë të larguar nga vendi dhe të rinj që përballen me më pak mundësi”, thotë Tabaku.

“2024-a ka qenë gjithashtu një vit i vështirë për shtresën e mesme, për profesionistët e lirë, për mjekët, për inxhinierët dhe për shumë sektorë të tjerë që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare”, thekson ajo.

Por, pavarësisht këtyre sfidave, Tabaku përcjell një mesazh shprese dhe rizgjimi për të ardhmen. Ajo thekson se viti 2025 duhet të jetë viti i ndryshimit, i ringritjes dhe i shpresës për të gjithë shqiptarët.

“Shpresa ime është për më shumë kohë për familjen, më shumë mundësi për t’u ringritur, më shumë të ardhura dhe më shumë dinjitet për çdo qytetar”, thotë Tabaku, duke theksuar se ndryshimi mund të vijë vetëm përmes forcimit të institucioneve dhe politikave të drejta.

Deputetja e Partisë Demokratike fton qytetarët të bashkohen për një qëllim të përbashkët: rikthimin e Shqipërisë në vendin që meriton.

“Me punë të ndershme dhe përpjekje të përbashkëta, ne mund t’ia dalim të ndryshojmë sistemin dhe të sigurojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, deklaron ajo.

Në përmbyllje të mesazhit të saj, Tabaku shpreh edhe një reflektim personal për vitin që vjen, duke premtuar përpjekje të shtuara për të bërë më shumë dhe më mirë.

“Jam e përkushtuar që të punoj për të sjellë ndryshim të vërtetë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.”

Urimi i saj përfundon me mesazhin: “Gëzuar 2025! Qoftë viti i ndryshimit, i shpresës dhe i familjes për të gjithë shqiptarët!”.