Teliti dhe Lloha apel për profesionalizëm: Personat që shesin suplemente dhe ilaçe duhet të kenë kualifikimet e duhura
Në emisionin "Alert" të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Erida Teliti, Nutricioniste Klinike, bëri një thirrje të fortë lidhur me rrezikun e përdorimit të suplementeve ushqimore pa konsultuar me profesionistë të kualifikuar.
Ajo theksoi se shumë individë, duke pasur mundësinë për të blerë suplemente online ose në farmaci, shpesh nuk e kuptojnë se mund të abuzojnë me to dhe të shkaktojnë efekte negative për shëndetin.
Teliti theksoi se një praktikë e tillë mund të jetë shumë e dëmshme, pasi shumë njerëz ndihen të lodhur dhe marrin shtesa ushqimore pa një diagnozë të saktë.
Përdorimi i suplementëve të pa kontrolluar mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore.
Sipas saj, është thelbësore që suplementet të merren vetëm pas një vlerësimi nga mjeku, i cili mund të përcaktojë dozat e duhura dhe nevojat specifike të çdo individi.
Ajo theksoi gjithashtu se suplementet si hekuri dhe vitamina nuk duhet të merren pa një këshillë profesionale, pasi përdorimi i tepërt mund të çojë në probleme të tjera.
"Për çdo suplement që merrni, është e rëndësishme të konsultoheni me një ekspert dhe të bëni një analizë të saktë shëndetësore.
Nuk është e mjaftueshme të ndiheni të lodhur dhe të vendosni vetë se keni nevojë për hekur," theksoi Teliti.
I ftuar gjithashtu Ilir Lloha, Zëvendësdekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit në UBT, shtoi gjithashtu se duhet të jesh i kualifikuar të japësh këshilla për shëndetin, pasi këshillat e gabuara mund të dëmtojnë shëndetin e çdo individi.
"Nuk jemi duke shitur rroba, por duke dhënë këshilla që lidhen me shëndetin e individëve.
Këshillat e pasakta mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin e konsumatorëve," tha Lloha.
