Erida Teliti: Kujdes nga këshillat ushqimore pa kualifikim të duhur

Në emisionin Alert, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, Erida Teliti, Nutricioniste Klinike, bëri një apel të fortë për rrezikun që paraqesin individët që quhen nutricionistë, por që nuk kanë kompetencat e nevojshme për të dhënë këshilla mbi ushqimin dhe ushqyerjen.

Ajo theksoi se në Shqipëri aktualisht nuk ekziston një legjislacion i qartë që përcakton kompetencat dhe kualifikimet e personave që mund të ushtrojnë profesionin e dietistëve, nutricionistëve dhe dietologëve.

Si rezultat, shumë individë që nuk kanë një diplomë të përshtatshme dhe nuk janë të certifikuar, ofrojnë këshilla ushqimore që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.

Erida Teliti shpjegoi se janë tre figura kyçe në këtë fushë: Dietisti, Biologu Nutricionist, dhe Nutricionisti Klinika.

Ajo e sqaroi se dietisti është një profesion që lidhet me shkencat e ushqyerjes, ndërsa biologu nutricionist, pas një diplomimi në shkencat biologjike dhe një provimi shtetëror, mund të marrë titullin e nutricionistit.

Nutricionisti klinik, nga ana tjetër, duhet të ketë një specializim të mjekësisë afatgjatë në shkencat e ushqyerjes dhe mund ta ushtrojë këtë profesion vetëm një person me një bazë mjekësore, si farmacistët apo mjekët.

Ajo shtoi se këto janë hierarkitë e nutricionizmit të pranuara në Itali dhe në Bashkimin Evropian, dhe theksoi se është e rëndësishme që këto praktika të zbatohen edhe në Shqipëri, për të siguruar një trajtim të sigurt dhe të efektshëm për individët që kërkojnë këshilla ushqimore.

Erida Teliti apeloi që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të kërkojnë gjithmonë këshilla nga profesionistë të kualifikuar dhe të certifikuar për të siguruar një shëndet të mirë dhe të mbrojtur.