Shporta e sajdisjes nga Erioni dhe pështjellimi tek gazetarët
Nën hetim për korrupsion dhe abuzim me paratë publike, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk ka harruar të sajdisë gazetarët në prag të ndërrimit të viteve.
Pak orë pasi doli i zverdhur nga biseda 5-orëshe me kolegët e tij në SPAK, dhe me një rënie të theksuar të sheqerit në gjak, në disa prej redaksive të lajmeve në kryeqytet do të mbërrinin shportat e urimit për një vit të gëzuar në 2025-ën.
I njohur për mjeshtërinë e tij të propagandës Veliajt i duhet të gjejë një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet që kanë përfshirë atë dhe institucionin që ai drejton.
Edhe pse kur doli nga SPAK-u nuk iu tha asnjë fjalë, Veliaj nuk harroi t’i fliste përmes shportës, e cila do të shkaktonte në fakt edhe pështjellime në radhët e gazetarëve “përfitues: të këtij bonusi të Bashkisë.
Dhe kjo për disa arsye, sepse së pari ata nuk dinin çfarë të bënin me një shportë dhuratash nga dikush pasuria e të cilit është zyrtarisht nën mbikëqyrjen e SPAK-ut; Por edhe sepse çanta e Vitit të Ri ishte për të preferuarit e beniaminit që u mor nga hiçi dhe u katapultua në majën e politikës duke u bërë njeriu më i rëndësishëm i kryeqytetit.
Në fakt, kur e mendon mirë ka bërë, pasi mendja të shkon tek fakti se Erioni mbase po mendon se do t’i duhen paratë pasi të dalë nga burgu. Ose në rastin pozitiv që ndokush nga kolegët e gëzuar ka nisur të thotë se kufizimi i numrit të dhuratave lidhet dhe me faktin se Erion po mendon për gjendjen ekonomike që po kalon vendi si pasojë e politikave të bëra keq nga qeveria, por qytetarët e saj.
Por ka dhe diçka tjetër që u diskutua nga kolegët me fat, dhe kjo ishte shporta gjysmë e mbushur për ta, kjo në krahasim me atë çfarë u kishin parë sytë nga fundviti i kaluar.
Mesa duket bisedat me kolegët e kanë bërë Erionin të reflektojë për mënyrën se si ai i shpenzon paratë dhe këtë ka nisur ta reflektojë menjëherë me gazetarët.
Të bën çudi fakti që Erioni nuk është prej atyre që i lë gjëra në gjysmë, pasi ai është pjesë e punë-mbaruarve në Tiranë, por kësaj radhe gjysma-gjeli i dhënë për pensionistët është në proporcion me gjysmë-shportat e Veliajt.
Prandaj meqenëse është sëkëlldisur shumë këto ditët e fundit, këshilla jonë është që ta marrë lehtë këtë punë. Fundja ato vite që do shkojë në ndonjë qeli, t’i vlejnë për të reflektuar, pasi kur e mendon se miliona euro janë vjedhur në Bashkinë që ai drejton (pasi ende nuk ka një akuzë konkrete nga SPAK ndaj Veliajt), ca ditë burgu që ai do bëjë janë asgjë në krahasim me lekët që iu mungojnë tironcve të shkërmoqur nga dëshira që ai kishte për t’u shndërruar nga “zdroms” i Tiranës në sheik.
