Vritet me armë zjarri futbollisti 14-vjeçar, ishte pjesë e ‘City Football Group’

Futbolli uruguaian në zi pas vdekjes së një lojtari të ri vetëm 14 vjeç, i lidhur me një klub të grupit City në Uruguaj, në orët e para të mëngjesit të Krishtlindjes.

Geral Froste, portier i ekipit Montevideo City Torque (që i përket ‘City Football Group’, pjesë e të cilit është edhe Manchester City), humbi jetën, siç duket, gjatë një grindjeje mes fqinjëve.

Sipas gazetës "El País" të Uruguajit, policia u thirr në orët e para të mëngjesit të 25 dhjetorit për të ndërhyrë pas një plagosjeje me armë zjarri te një fëmije, në kraharor dhe bark.

I njëjti burim citon nënën e viktimës, e cila tha se "ndodhi një ngatërresë mes fqinjëve në një cep dhe kur ata shkuan për t’i ndarë, ajo dëgjoi të shtëna, dhe pikërisht aty u plagos viktima."

Klubi njoftoi për vdekjen e të riut:

"Me hidhërim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Geral Froste, portier i skuadrës U-14 të klubit.

Jemi pranë familjes, miqve dhe bashkëlojtarëve në këtë moment trishtimi për të gjithë ne," publikoi klubi në rrjetet sociale.