Osmani-Komisioneres së BE-së për Zgjerim: Të avancohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit me liderët europianë në Bruksel, ka folur për çështjet me rëndësi për Kosovën në fushën diplomatike, ligjin dhe sigurinë.

Osmani është takuar me Komisioneren e BE-së, Marta Kos, gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor, teksa presidenca ka zbuluar temat e diskutimit mes tyre.

Presidenja Osmani ka bërë të ditur se me Kosin ka folur për rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës në BE, heqjen e masave, si dhe për rëndësinë e llogaridhënies për sulmet terroriste në veri të vendit.

“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës në BE, heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës të cilat po i dëmtojnë qytetarët, si dhe potencoi rëndësinë e llogaridhënies për sulmet terroriste dhe aktin e agresionit të vitit të kaluar”, ka njoftuar presidenca.

Në lidhje me heqjen e masave, Osmani është shprehur e zhgënjyer nga vendet e BE-së. Para samiti të djeshëm, Osmani foli për mediat teksa shprehu zhgënjimin e saj, duke shtuar se me shumë mundësi masat nuk do të hiqen as në dhjetor.