I dërguari i OKB-së: Konflikti në Siri nuk ka përfunduar ende
I dërguari i OKB-së, Geir Pedersen ka paralajmëruar se konflikti i stërzgjatur i Sirisë nuk ka përfunduar ende – edhe pse rebelët fitimtarë të udhëhequr nga islamistët kanë rritur kontaktet me qeveritë e huaja.
Assad u largua nga Siria, më shumë se një javë më parë pas një ofensive të udhëhequr nga islamisti Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – më shumë se 13 vjet pasi regjimi i tij shtypës ndaj protestave të demokracisë shkaktoi një nga luftërat më vdekjeprurëse të shekullit.
I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Pedersen tha se ka pasur armiqësi të mëdha në dy javët e fundit, përpara se të ndërmjetësohej armëpushimI.
“Jam i shqetësuar për raportet e përshkallëzimit ushtarak. Një përshkallëzim i tillë mund të jetë katastrofik”, tha Pedersen, duke iu referuar luftimeve midis Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA-ja – dhe grupeve të mbështetura nga Turqia – që kanë pushtuar disa qytete kurde javët e fundit.
Uashingtoni, më vonë njoftoi se kishte ndërmjetësuar një zgjatje të armëpushimit në qytetin Manbij, dhe se po kërkonte një mirëkuptim më të gjerë me Ankaranë.
“Armëpushimi në Manbij është zgjatur deri në fund të javës dhe ne, padyshim, presim që ai të zgjatet sa më shumë që të jetë e mundur në të ardhmen”, u tha më herët gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ndërmjetësimi erdhi mes frikës së një sulmi nga Turqia në qytetin kufitar të Kobanes, të kontrolluar nga kurdët, i njohur gjithashtu si Ain al-Arab.
Kreu i SDF-së Mazloum Abdi propozoi në një postim në platformën e medias sociale X krijimin e një “zone të çmilitarizuar” në Kobane nën mbikëqyrjen e SHBA-së.
Uashingtoni e konsideron SDF-në një aleat të rëndësishëm në luftën e saj kundër grupit të Shtetit Islamik në Siri – megjithëse autoritetet e reja të Damaskut e kanë bërë të qartë kundërshtimin e tyre ndaj vazhdimit të vetëqeverisjes kurde në verilindje.
Shefi ushtarak i HTS, Murhaf Abu Qasra tha në një intervistë, se zonat e kontrolluara nga kurdët në Siri do të integroheshin nën udhëheqjen e re të vendit.
“Populli kurd është një nga përbërësit e popullit sirian… Siria nuk do të ndahet dhe nuk do të ketë entitete federale”, tha ai.
Abu Qasra, gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të gjente një zgjidhje për sulmet e përsëritura izraelite ndaj objektivave ushtarake – duke përfshirë “inkursionin” e tij në zonën mbrojtëse të patrulluar nga OKB-ja në Lartësitë Golan.
Trupat izraelite gjithashtu pushtuan pozicione strategjike në një zonë tampon të patrulluar nga OKB-ja, një veprim që shefi i OKB-së Antonio Guterres e përshkroi si një shkelje të armëpushimit të vitit 1974.
Shefja e OKB-së për migracionin, Amy Pope, paralajmëroi për rrezikun e një “kthimi në shkallë të gjerë” të refugjatëve në Siri, duke thënë se kjo do të destabilizonte më tej vendin.
HTS është ndaluar nga disa qeveri perëndimore si një organizatë terroriste, edhe pse ajo ka kërkuar të zbusë retorikën e saj dhe është zotuar të mbrojë pakicat fetare të vendit.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili përfshin aleatin e Asaad, Rusinë, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë thirrje dje për një proces politik “gjithpërfshirës dhe të udhëhequr nga Siria”.


