KROACI – Tetë kandidatë për zgjedhjet presidenciale të 29 dhjetorit
Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 29 dhjetor në Kroaci do të garojnë tetë kandidatë.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (DIP) i Kroacisë bëri një deklaratë lidhur me zgjedhjet e teta presidenciale që do të mbahen në Kroaci, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Sipas deklaratës, për zgjedhjet presidenciale kanë plotësuar kriteret e nevojshme tetë kandidatë.
Në mesin e kandidatëve është edhe presidenti aktual Zoran Milanoviç që mbështetet nga Partia Social-demokrate (SDP) ndërsa Unioni Demokratik Kroat (HDZ) i qendrës së djathtë në pushtet ka propozuar ish-ministrin e Arsimit, Dragan Primorac.
Po ashtu ndër kandidatët që do të marrin pjesë në zgjedhje janë edhe Ivana Kekin nga aleanca “Mundemi”, Miro Bulj nga aleanca “Ura”, Branka Lozo nga partia “Atdheu” dhe “Tubimi Kombëtar” si dhe kandidatët e pavarur Niko Tokiç Kartelo, Marija Selak Raspudiç dhe Tomislav Jonjiç.
Sipas sondazheve të zhvilluara në Kroaci, Milanoviç dhe Primorac mund të kalojnë në raundin e dytë.
Milanoviç, i cili në shumë deklarata të tij është përballur me HDZ-në dhe kryeministrin Andrej Plenkoviç tha se “Plenkoviç, ne e dimë se ju përbëni kërcënim për demokracinë e vendit. Që nga tani lamtumirë edhe emrit që keni paraqitur për kandidat”.
Ndërsa Primorac tha se nuk dëshiron të takohet me Milanoviçin për shkak të retorikave të shëmtuara të shumë liderëve të BE-së.
Kandidatja Kekin tërheq vëmendjen si bashkëshortja e një prej anëtarëve të një grupi muzikor në Kroaci.
Nëse asnjë nga kandidatët nuk kalon pragun prej 50 për qind të votave në raundin e parë që do të mbahet të dielën më 29 dhjetor, dy emrat me më shumë vota do të garojnë në raundin e dytë që do të mbahet më 12 janar.
Rezultatet e para jozyrtare të zgjedhjeve pritet të shpallen natën e 29 dhjetorit.
Zgjedhjet presidenciale në Kroaci mbahen një herë në pesë vjet dhe një person mund të ushtrojë detyrën jo më shumë se dy mandate.
