Tarifat e propozuara nga Trump, jep dorëheqjen ministrja e Financave të Kanadasë
Zëvendëskryeministrja e Kanadasë, njëkohësisht edhe ministrja e Financave, Chrystia Freeland ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj, disa ditë pas tensioneve mes Donald Trump dhe qeverisë së Otavës mbi tarifat e reja që presidenti i zgjedhur ka kërcënuar të vendosë mbi importet, sipas ”New York Times”.
“Vendi ynë përballet me një sfidë të rëndë sot”, shkroi Freeland, në një postim në X duke njoftuar dorëheqjen e saj. Në këtë pikë rrezikohet edhe kryeministri Justin Trudeau.
“Gjatë javëve të fundit, ne e kemi gjetur veten në mosmarrëveshje për rrugën më të mirë përpara për Kanadanë”, shkroi Freeland në një fjalim drejtuar kryeministrit Trudeau.
”Si e trajtojmë kërcënimin me të cilin përballet vendi ynë aktualisht do të na përcaktojë për një brez dhe ndoshta më gjatë”, theksoi ajo më tej.
Për zëvendëskryeministren, vendimet e fundit të shpenzimeve të marra nga Trudeau – disa thonë se rrisin popullaritetin e tij dhe të partisë – duke përfshirë pushimin e taksës së shitjeve dhe dërgimin e çeqeve tek taksapaguesit, minojnë aftësinë ekonomike të Kanadasë për të trajtuar kërcënimin e tarifave të Trump.
Letra e Freeland është një kritikë e fortë ndaj politikave të kryeministrit dhe gjithashtu e para publike nga një anëtar i qeverisë së tij.
