VENECIA “PËRMBYT” KUVENDIN/ Olta Xhaçka dhe vrasja e Martin Canit dy pikat e përplasjeve sot në seancë
Kuvendi mban këtë të enjte seancën e radhës plenare, seancë e cila sipas pritet të nisë që në fillim me tensione.
Shkak për këtë duket se do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias në lidhje me kërkesën e Kuvendit për mandatin e deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka.
Debate parashikohen duke u nisur edhe nga reagimet e dy ditëve të fundit të opozitës dhe mazhorancës pas publikimit të opinionit, ku secila palë e lexoi ndryshe duke pretenduar se kishin të drejtë.
Në lidhje me rendin e ditës, në Kuvend do të diskutohen pikat të cilat nuk u shqyrtuan në seancën e javës së shkuar për shkak të kaosit dhe përplasjes mes opozitës dhe mazhorancës.
RENDI I DITËS
Kuvendi zhvillon sot seancë plenare, ku në rend të ditës është kërkesa e paraqitur nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike për një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar, jashtë shkollës “Fan Noli”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr.57/2015”.
Në rend të ditës është edhe projektligji “Për miratimin e rritjes së kuotës së Republikës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar”.
Gjithashtu Kuvendi do të diskutojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për bashkëpunimin në mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe të tjera”.
Kuvendi do të diskutojë edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.90/2021, “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare, sh.a.””.
Në rend të ditës është edhe projektvendimi “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit” si dhe projektvendimi “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrativë pas mbarimit të mandatit të Komisionerëve Publikë”.



