BRAKTISJE/ Erion Veliaj shtron darkën e Vitit të Ri, “babagjyshi” nuk ia sjell në tryezë ambasadorët e SHBA dhe BE
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi ta shtronte darkën politike të Vitit të Ri ditën e djeshme, ku në prag të festave të fundvitit, ai organizoi një pritje për përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe komuniteteve fetare.
Por në përfundim të saj duket se vetë Veliaj ka qenë i zhgënjyeri i mbrëmjes, pasi “babagjyshi” nuk ia solli këtë vit dhuratën që donte, që në këto ditë të trazuara hetimesh ndaj tij dhe familjarëve të tij ai të kishte mbështetjen e ambasadave kryesore në vendin tonë.
E premtja e zezë e javës së kaluar vijon të shenjojë ngjarje të rënda për fatin e tij politik, pasi kontrollet e fundit të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë lënë pasojat e veta.
Edhe pse u kujdes që pamjet e djeshme t’i shpërndante një ditë më pas, mësohet se ajo që ka ndodhur mbrëmjen e së martës mund të përmblidhet në një fjalë të vetme “braktisje”.
Burime nga darka e djeshme bëjnë me dije se në tryezën e shtruar nga kryebashkiaku i Tiranës kanë munguar: E Ngarkuara me Punë e SHBA në Shqipëri, Nancy VanHorn; Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato; Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner; Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nick Abbott; apo edhe Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, nuk ishte në pritjen e Erion Veliajt.
Dhe mjafton të kujtojmë se popujt e këtyre vendeve janë dhe financuesit e reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, për të kuptuar se ky vendim lidhet pikërisht me hetimet e organeve të reja të drejtësisë ndaj tij.
Me pak fjalë shkak për këtë braktisje duket se janë bërë zhvillimet e fundit në hetimin e pasurisë së Erion Veliajt, ku tashmë janë kontrolluar banesa e tij, e vëllait të tij Arbër Veliaj, zyrave të “Harabelit”, qendrës që administrohet nga bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, së cilës i është sekuestruar aparati i saj telefonik, ndërsa i janë gjetur dhe shuma të konsiderueshme prej dhjetëra mijëra eurosh në zyrën e saj.
Dhe si konfirmim të kësaj braktisjeje, teksa theksoi rëndësinë e rolit të Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025, kryebashkiaku Veliaj në fjalën e rastit nënvizoi se kush punon, komentohet.
“Dhe siç e dini edhe ju, sukseset janë nga ato ‘mëkate’ që nuk falen kurrë”, tha ndër të tjera kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ndërkaq mbeten për t’u parë në ditët në vijim rezultatet e hetimeve, nëse Veliaj do të merret apo jo zyrtarisht i pandehur.


