SU “Shefqet Ndroqi”, Koçiu: Realizohet me sukses operacioni i rivaskularizimit koronar minimal invaziv
Në Spitalin Rajonal Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë është realizuar me sukses një operacion i rivaskularizimit koronar minimal invaziv (MICS-CABG) te një pacient me sëmundje multivazale.
Kështu bën me dije ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila thekson se “ky operacion unik përfshiu rivaskularizimin e dy arterieve koronare përmes një teknike T-Graft nga një hapje minimale prej vetëm 7 cm”.
Sipas ministres avantazhet kryesore të kësaj metode për pacientët përfshijnë reduktim të ndjeshëm të rrezikut të infeksioneve dhe rikuperim më të shpejtë dhe kthim në jetën normale.
Ministrja Koçiu e cilëson këtë operacion si një arritje të rëndësishme për sistemin shëndetësor shqiptar.
“Ky sukses i radhës dëshmon avancimin e sistemit shëndetësor dhe përkushtimin tonë ndaj ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët”, shkruan ministrja.
Më tej Koçiu shpreh mirënjohjen për ekipin mjekësor dhe infermieror për përkushtimin dhe profesionalizmin: Dr. Shk. Albi Fagu, dr. Ketion Menkshi, dr. Marjeta Bilaj, dr. Anri Gongo, dr. Nevila Çaushi, si dhe infermierëve Marinela Agolli, Samet Mulaj, Eri Kica, dhe Ervisa Kurti.
