"Duhet bërë më shumë si një vend që synon anëtarësimin në NATO", Osmani: Përfshirja e grave në ushtri e ulët, vetëm 10%

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka qenë e pranishme në konferencën me temë “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”, e cila organizohet në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Gjatë fjalës së saj, presidentja Osmani ka vënë në dukje se gratë në ushtrinë e Kosovës përbëjnë një përqindje të ulët. Osmani thekson se vetëm në ushtri vetëm 10% janë gra.

Osmani theksoi se duhet bërë më shumë për këtë, pasi Kosova është një shtet që synon anëtarësimin në NATO. Më tej, presidentja ka shtuar se angazhimi i grave në ushtri është në boshtin e NATO-s dhe se kjo ishte teme e parë e diskutimit gjatë takimeve që zhvilloi në selinë e Alenacës Ushtarake Euroatlantike.

“Asnjëherë nuk duhet të mjaftohemi me kaq, niveli prej 10% është tejet i ulët, ne mundemi dhe duhet të bëjmë më mirë se kaq. Sidomos ne si shtet që synojmë anëtarësimin në NATO”, ka thënë Osmani.

Komandatja e FSK-së gjithashtu ka theksuar se duhet bërë më shumë në këtë drejtim teksa ka thënë se duhen vepra konkrete. 

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka shprehur përkushtimin dhe synimin që përfshirja e grave në FSK të rritet.  Ai ka thënë se po angazhohen për largimin e barrierave që pengojnë përfshirjen e grave ne ketë institucion.