Albin Kurti publikon pamjet/ Si u organizua sulmi me rreth 20 kilogramë eksploziv në Ibër-Lepenc

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Përmes një postimi në platformën ‘X’, Kurti ka bërë të ditur se sulmi ishte planifikuar me përdorimin e rreth 20 kilogramë eksploziv dhe kishte potencialin për të shkaktuar dëme të mëdha në furnizimin me energji dhe ujë në vend.

"Përafërsisht 20 kg eksploziv u përdorën në sulmin terrorist të së premtes së kaluar në infrastrukturën tonë kritike. Kjo javë e kaluar mund të kishte qenë shumë ndryshe po të mos kishte qenë reagimi i shpejtë, i koordinuar dhe profesional institucional për të zbutur ndikimin e dëmit. Si një sulm ndaj popullatës civile, ai mund të kishte reduktuar prodhimin e energjisë në vend me 60 për qind dhe të kishte ndikuar në aksesin e ujit për deri në 40 për qind të popullsisë," ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka krahasuar këtë sulm me shënjestrimin e infrastrukturës civile kritike nga Rusia në Ukrainë, duke e cilësuar si një akt alarmant. Ai gjithashtu ka publikuar një video që dokumenton reagimin institucional brenda 48 orëve të para pas incidentit.

"Kjo video rrëfen ngjarjet dhe reagimin institucional brenda 48 orëve të para pas sulmit, që ndodhi më 29 nëntor. Ndërkohë që është bërë përparim i dukshëm, përpjekjet institucionale për riparimin e plotë të dëmit dhe rivendosjen e normalitetit janë ende në vazhdim," ka përfunduar Kurti.

Shpërthimi në mbrëmjen e 29 nëntorit ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke sjellë rrjedhje të ujit jashtë kanalit.

Si pasojë disa pjesë të vendit u përballën me reduktime uji. Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.