8 dhjetori/ PL homazhe tek busti i Azem Hajdarit në Qytet Studenti, Blushi: Vlerësojmë studentët e Dhjetorit 90”

PL ka zhvilluar sot homazhe tek busti i Azem Hajdarit tek Qytet Studenti me rastin e ditës së Rinisë.

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, nga sheshi “Demokracia” në Qytetin Studenti:

Nga sheshi “ Demokracia”, nga zemra e Qytetit Studenti, së bashku me drejtuesit e Lëvizjes Rinore për Integrim, së pari më lejoni t'ju uroj të gjithë të rinjve dhe të rejave: Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë.

Sot është dita për t'u përulur me mirënjohje ndaj Lidershipit historik dhe frymëzues të Azem Hajdarit, ndaj brezit të të rinjve dhe të rejave që 34 vite më parë i prinë Lëvizjes Studentore që coi në përmbysjen e regjimit diktatorial.

Është dita sot për të vlerësuar studentët e Dhjetorit 90”, një prej të cilëve ka qenë edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta, i cili sot ndodhet në një masë ekstreme izolimi.

Nga Qyteti Studenti i ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, në veçanti ata të rinj që lindën në Demokraci por që sot janë në Diktaturë, që t'i prijnë një misioni dhe angazhimi historik për të marrë në dorë fatet e tyre, fatet e Shqipërisë në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë, që sot janë të rrezikuara më shumë se kurrë nga një pakicë uzurpatore që ka shpopulluar vendin me mbi 1 milion shqiptarë, shumica e të cilëve janë të rinj dhe të reja.

Ndaj kësaj diktature, armike më të egër të rinisë, nevojitet një aksion i fuqishëm rinor për t'i shkurtuar ditët këtij regjimi.

Faleminderit!