Porti i Durrësit, 1.7 milionë tonë mallra u përpunuan në janar-tetor
Porti i Durrësit vijon të mbajë performancë të lartë të përpunimit të mallrave edhe gjatë këtij viti.
Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se “në Terminalin e Konteinerëve është një prej sektorëve me aktivitetet të rëndësishëm në Kompleksin Portual Durrës-Porto Romano, në të cilin përgjatë periudhës janar-tetor 2024 janë përpunuar 1.7 milionë tonë mallra”.
Përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve në Portin e Durrësit ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpunim më të shpejtë dhe efikas të mallrave. Gjithashtu me vënien në funksion të sistemit operativ online Navis 4, ofrohet një standard i ri pune në fushën e përpunimit të konteinerëve në portin e Durrësit.
Falë këtij sistemi, operatorët, përdoruesit dhe agjencitë ligjzbatuese planifikojnë më mirë të gjitha veprimet logjistike dhe ato të kontrollit për çdo konteiner në import – eksport – magazinim.
Po ashtu falë këtij sistemi ka ulje të kohës së përpunimit të mallrave dhe ulje e pritjes për transportuesit, rritje e performancës së stafit dhe mekanizmave, siguri, kontroll dhe analizë risku nga agjencitë ligjzbatuese, gjurmueshmëri e çdo veprimi logjistik dhe transparencë financiare dhe lehtësim i operimit 24/7.
Porti i Durrësit është më i madhi në vend. Anijet tregtare që transportojnë mallra nga/drejt Durrësit kanë lundruar deri tani nga/drejt 67 porteve në 24 vende të botës.

