Refuzoi në verë blerjen e ‘bomberit’ suedez, Luis Enrique 'lodh' presidentin e PSG-së

Rezultatet jo të mira të PSG-së, veçanërisht në Ligën e Kampionëve, kanë filluar të vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e Luis Enrique si trajner i klubit francez, me mediet lokale që raportojnë madje për disa tensione të brendshme me trajnerin spanjoll.

Këtë të mërkurë, portali ‘Footmercato’ bëri publike një farë "lodhjeje" të Nasser Al-Khelaifi, pronar dhe president i PSG-së, lidhur me mënyrën se si Luis Enrique dëshiron të kontrollojë gjithçka dhe të ketë "liri maksimale veprimi, sidomos sa u përket transferimeve".

Portali francez shpjegon gjithashtu se, gjatë verës së kaluar, Luís Campos, këshilltar sportiv portugez i PSG-së, kishte nisur përpjekjet për të transferuar Viktor Gyökeres nga Sportingu, por Luis Enrique e kishte refuzuar këtë mundësi.

Kur drejtuesi portugez i propozoi trajnerit spanjoll mundësinë e transferimit të sulmuesit të shkëlqyer të Sportingut, Enrique e refuzoi, duke sqaruar se, me të në drejtim, Gyökeres "do të kishte shumë pak minuta lojë".

Aktualisht, në PSG, për rolin e sulmuesit qendror, Luis Enrique ka në dispozicion francezin Kolo Muani dhe portugezin Gonçalo Ramos, i cili sapo është rikthyer nga një dëmtim i rëndë.