Sulmi në kanalin e ujit në Zubin Potok/ Drejtori i Policisë: Mund ketë arrestime të reja
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit për sulmin në kanalin e ujit në Ibër Lepencit. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se mund të ketë edhe arrestime të reja në lidhje me këtë rast. Po ashtu Hoxha ka njoftuar se aktualisht nuk kanë sinjale për ndonjë sulm të ri në veriun e vendit, megjithatë ka shprehur gatishmërinë e policisë për intervenim, me të gjitha kapacitetet që ka.
“Arrestime të reja mund të priten. Policia e Kosovës çdo ditë është duke analizuar çdo informacion që posedon dhe ato që mund të vijnë dhe varësisht nga hetimet që janë duke u bërë mund të ketë edhe bastisje të reja dhe arrestime të reja. Shpresojmë të mos kemi por në qoftë se ka, ne jemi aty për t’iu përgjigjur. Të gjitha kapacitetet tona i kemi vënë në dispozicion të sigurisë së vendit tonë, në veçanti të veriut të vendit”, tha Hoxha.