Stuhia “Bora”/ Greqia shpall në gjendje të jashtëzakonshme ishujt Rodos dhe Limnos, regjistrohen viktima
Nga OraNews Përditësimi i fundit 2 Dhjetor 2024, 19:29
Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Sociale në Greqi ka shpallur në gjendje të jashtëzakonshme ishullin Rodos dhe Limnos, për shkak të stuhisë “Bora” që goditi vendin gjatë fundjavës.
Dy ishujt janë zonat më të prekura nga stuhia, e cila shkaktoi përmbytje të mëdha në banesa dhe infrastrukturë. Në ishullin e Limnos u raportua për dy viktima nga moti i keq.
Banorëve të fshatit Kontia në Limnos iu kërkua të evakuoheshin drejt qytezës së Mirnas për shkak se diga në fshatin e tyre rrezikonte të shembej nga reshjet e dendura të shiut.
