"Ka më shumë sovranitet, integritet territorial", Kurti në Kuvend: Ja pse Serbia po shton sulmet terroriste në Veriun e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli gjatë seancës së sotme të Kuvendit për sulmet e fundit në veri të vendit. Kurti, nga foltorja e Kuvendit, tha se sulmet terroriste nga Serbia po shtohen sepse ka më shumë sovranitet e intergritet territorial në veri.
Sipas Kurtit, kjo ndodh pasi Serbia nuk ka më kontrolle në veri të Kosovës. Më tej, kryeministri Kurti renditi disa arsye të tjera pse janë shkaktuar sulmet terrorite, si mbyllja e bankës popullore e Serbisë, heqja e targave serbe dhe konvertimi i tyre në RKS, etj.
“Pikërisht pse ka shumë më tepër sovranitet, integritet territorial, ligjshmëri, kushtetutshmëri në veri, ka aksione terroriste tani. Dikur kur struktura paralele te Serbisë e kanë kontrolluar veriun, ata s’kanë pasur nevojë për sulme terroriste.
Tani që nuk e kanë më, ata kryejnë aksione terroriste. Dikur i kanë pasur 4 ndërtesat kryesore në katër komuna të stacioneve të policisë. Prej 5 nëntorit të vitit 2022 kur dhanë dorëheqje kolektive, nuk i kanë më ato ndërtesa. Prandaj gjuajnë me granata dore, sikundër më 26 nëntor në stacionin e Policisë në Zveçan. Pra po e hedhin granatën e dorës në stacionin e policisë në Zveçan sepse ajo është policia e Republikës së Kosovës.
Kur komandanti i policisë ishte serb, që merrte rrogën edhe nga Kosova edhe nga Beogradit, ai granatën e dorës e hedh tani sepse s’është më aty. Pikërisht pse e kanë humbur veriun, po i bëjnë këto sulme terroriste.
Pse ka sulme në veri? Ka sulme sepse është mbyllur banka popullore e Serbisë dega në Kosovë dhe drejtoria e thesarit në Leposaviç. Ka krime terroriste e sulme te ndryshme, e sabotazhe se s’ka më targa, as letërnjoftime, as patenta ilegalë të Serbisë. Mbi 10 mijë qytetarë të tyre ose i kanë ivaliduar patentat e drejtuesve të mjeteve ose kanë marrë targat e RKS-së, ose të dyjat”, ka deklaruar Kurti.
