“Vendi i shkatërruar nga varfëria dhe korrupsioni”, Teliti: Kjo nuk është Shqipëria që do donin baballarët e Pavarësisë
Këshilltari për çështjet ekonomike të PD, Dorjan Teliti ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e Shqipërisë 112 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, duke thënë se “kjo nuk është Shqipëria që do donin baballarët e Pavarësisë”.
Ai thekson se Shqipëria e sotme është e shkatërruar nga korrupsioni, varfëria, dhe persekutimet politike.
Teliti kritikoi mungesën e zhvillimit në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, dhe largimin e rinisë, ndërsa akuzon një grusht njerëzish që po shkatërrojnë vendin.
Ai apeloi për ndryshim, duke thënë se shqiptarët ia detyrojnë këtë brezave të sotëm dhe atyre që sakrifikuan për lirinë.
"KJO NUK ËSHTË SHQIPËRIA QË DO DONIN BABALLARËT E PAVARËSISË! Prej 112 vitesh jemi të pavarur falë mundit të disa burrave atdhedashës që lanë cdo gjë pas dore, me të vetmin qëllim, ta bënin Shqipërinë e pavarur dhe të zhvilluar.Po ku jemi sot? Ku jemi pas 112 vitesh? Shqipëria 2024 është Shqipëria me kushtetutë të përdhosur, me arrestime e persekutime politike.
Shqipëria 2024 është Shqipëria që shpopullohet dita ditës, rinia largohet, familjet që ndahen për së gjalli.Shqipëria 2024 është ajo e varfërisë, ku 46% e popullatës vuajnë për “bukën e gojës”, shtresat e varfëra janë të braktisura e përcmuara. Shqipëria 2024 është ajo që nuk shërben sic duhet të sëmurët, e mungesës së theksuar të ilaceve, spitaleve, qendrave shëndetësore. Shqipëria 2024 është ajo e arsimit jo cilësor, e shkollave me dy turne, e universiteteve që diploma japin por punëmarrës të denjë nuk krijojnë.Shqipëria 2024 është ajo e politikave të urrejtjes ndaj fshatit dhe fermerit.
Shqipëria 2024 është ajo e korrupsionit galopant, abuzimit me pronën private dhe publike, është Shqipëria ku një grusht njerëzit nuk zbatojnë më parimet e ligjit por vetëm parimet “KCK të maliqit”. I përulemi me nderim baballarëve të pavarësisë, por një gjë është e sigurt, kjo nuk është Shqipëria që ata imagjinuan, nuk është Shqipëria që ata dhanë edhe jetën për ta bërë të pavarur e të begatë. Ndaj ngrihuni të bëjmë ndryshimin, ja detyrohemi kaq brezave të sotëm por edhe baballarëve të kombit, prej të cilëve gëzojmë sot lirinë."
