Gonzato uron Ditën e Pavarësisë: BE e përkushtuar të qëndroj krah Shqipërisë në çdo hap
Sot Shqipëria feston 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale, ka uruar Ditën e Pavarësisë, ndërsa shkruan se hapja e negociatave të anëtarësimit për Grupkapitullin e parë mbi themelorët është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në familjen e Bashkimit Evropian.
Gonzato nënvizon se shumë sfida janë përpara, por BE-ja është e përkushtuar të qëndrojë në krah të Shqipërisë në çdo hap.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri. Hapja e negociatave të anëtarësimit për Grupkapitullin e parë mbi themelorët këtë vit është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në familjen e Bashkimit Evropian.
Shumë sfida janë përpara, por BE-ja është e përkushtuar të qëndrojë në krah të Shqipërisë në çdo hap,”, shkruan ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.
28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
