"Reflektimi i drejtësisë për padrejtësinë"/ Prençi: Nuk i ka shkruar Berisha ato vendime...Ka pasur jurista, ministra, zv.ministra
Berisha fitoi sot lirinë dhe menjëherë kërkoi krijimin e një qeverie teknike.
SPAK-u duket se po vlerëson dhe po vijon punën si një qeveri në hije duke goditur bandat që opozita ka akuzuar se ka ndihmuar në shitblerjen e votave.
Goditja e bandës së Suel Çelës përveçse një goditje e grupeve kriminale më të fuqishme në vend, mund të konsiderohet edhe goditje e shtabit elektoral të PS në qytetin e Elbasanit. Ky është grupi i 4 që goditet, pas atij të Shkodrës, Krujës dhe Durrësit, grupe që kanë mbledhur vota për llogari të PS në zgjedhjet e kaluara, e që në Maj të 2025 nga burgu, ndoshta do ta kenë të pamundur të kenë akses përsëri në votat e zgjedhjeve të ardhshme.
Për të folur rreth kësaj teme, i ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte ish-drejtuesi i policisë, Shemsi Prençi.
"Revokimi i masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, pas 331 ditësh është reflektimi i drejtësisë për padrejtësinë. Berisha riskoi. Berisha ka qenë i ndërgjegjshëm që po të mos zbatonte atë masë sigurie të drejtësisë do të riskonte në ashpërsimin e një mase, por e sfidoi drejtësinë. Çështë e vërteta, unë do të shikoj sesi do të veprohet 10 ditët në vazhdim. Nëse çështja për Berishën do të pushohet apo do të dërgohet në gjykim. Qoftë edhe e veçuar, sepse nuk është çështje vetëm për Berishën, është për disa persona, sepse po të bëjmë paralelizma, këtu në Shqipëri sa vendime janë bërë, karvani i të pandehurve duhet të ishte shumë i madh, sepse nuk i ka shkruar Berisha ato vendime. Abuzimi nuk mund të bëhet vetëm nga kryeministri, ka pasur jurista, ministra, zv.ministra", u shpreh Prençi.
