Interi ''tërmet 5 ballë'' ndaj Veronës, Asllani asist, zikaltërit marrin përkohësisht kreun e renditjes

Interi është kthyer në fushë për javën e 13-të të Serisë A.

Zikaltrit kanë shkatërruar Veronën 5-0 dhe kanë marrë përkohësisht kreun e Serisë A.

Skuadra e Inzaghit ka shënuar 4 gola në harkun e 14 minutave me Correan (17’), Thuram (22’, 25’) dhe De Vrij (31’).

Protagonist edhe mesfushori i Kombëtares, Kristjan Asllani, i cili ka dhënë asistin për golin e katërt.

Në minutën e 41-të ka ardhur edhe goli i Bisseck.

Interi ka realizuar pesë gola në pjesën e parë të një ndeshje të kampionatit të luajtur në transfertë për vetëm herën e dytë në historinë e klubit, pas 5-1 kundër Sampdorias në 45 minutat e para, 1 mars 1964.

Në pjesën e dytë, miqtë kanë menaxhuar avantazhin dhe energjitë me rezultatin që ka mbetur i pandryshuar.

Lajmi i vetëm i keq për trajnerin Inzaghi ka qenë dëmtimi i Acerbit pas vetëm 15 minutash lojë.