"Në Itali kam luajtur ndeshje të trukuara"/ Rrëfimi tronditës i ish-futbollistit në Serie A

Një rrëfim që ka tronditur botën e futbollit. Në një intervistë për programin në YouTube “Vamo’ a Calmarno,” Luis Jiménez zbuloi një përvojë të panjohur nga koha e tij në Itali, vend ku kaloi një pjesë të madhe të karrierës profesionale.

Gjatë bisedës me gazetarët Jaime Proox dhe Rosinelli, ky i fundit e pyeti nëse ekziston me të vërtetë “njeriu me valixhe”, një shprehje që aludon për trukimet në futboll.

“Në Itali më ndodhi disa herë, – rrëfeu “Mago.” – Në fakt, shumë ekipe u ndëshkuan: Juve, Fiore dhe disa klube të mëdha, që u sanksionuan për trukime ndeshjesh”.

Ai vetë tha se mori pjesë në ndeshje të trukuara: “Unë kam luajtur në ndeshje të trukuara. Nuk kuptoja asgjë, isha i ri dhe doja të jepja maksimumin tim. Ishin ndeshjet e mia të para në Itali. Në një ndeshje shënova një gol dhe portieri im u tërbua, sepse duhej të barazonim. Ai portier nuk luante shumë dhe duhej ta linte një gol. Iu thashë bashkëlojtarëve: Pse nuk më thatë më parë?”

Një tjetër kujtim nga periudha e tij e trazuar në Serie B me Ternana ilustron madhësinë e problemit. Gjatë një ndeshjeje kundër Atalantës, pasi realizoi një penallti, ekipi reagoi në mënyrë të çuditshme: “Shoku im shënoi golin dhe, në vend që të festonte, kapi kokën me duar. Më pas mjeku i ekipit më shpjegoi që ndeshja ishte e trukuar dhe më urdhëroi të mos hyja më në zonën kundërshtare”.

Ai gjithashtu theksoi se këto praktika ishin të zakonshme në atë periudhë, por me kalimin e viteve janë zhdukur: “Shumë njerëz janë ndëshkuar; drejtues që nuk mund të punojnë më në futboll dhe futbollistë që nuk mund të luajnë më, sepse bënin shumë trukime”.

Kujtojmë që ish-mesfushori i Palestinos ka pasur një karrierë të gjatë në Itali, duke veshur fanellat e klubeve si Ternana, Fiorentina, Lazio, Interi, Parma dhe Cesena./Noa.al