Uli Hoeness "thumbon" Tuchel: Ai dhe Kompany janë të ndryshëm si dita me natën...
Presidenti i nderit i Bayern Munich, Uli Hoeness, ka bërë deklarata të forta gjatë një forumi të organizuar nga gazeta "Finanz und Wirtschaft" në Rüschlikon, pranë Zyrihut. Fjalët e tij janë komentuar si "arrogante" nga “Bild”.
Për Bundesligën: "Ajo që mund të premtoj është fitimi i kampionatit gjerman. Jemi në një pozicion të mrekullueshëm tani. Jemi kryesues, të vetmit rivalë të vërtetë, Bayer Leverkusen dhe Leipzig, janë shumë prapa nesh".
Lavde për Kompany dhe kritika ndaj Tuchel: "Të dy ndryshojnë si dita me natën. Vincent është komunikues dhe kujdeset për lojtarët e tij. Nuk e dinim këtë më parë, prandaj telefonuam Pep Guardiolën dhe e pyetëm për belgun, meqë e ka trajnuar. Ai na tha thjesht që mund ta merrnim si trajner pa hezitim".
Kujtojmë se Thomas Tuchel ishte trajner i Bayern Munich nga marsi 2023 deri në qershor 2024 dhe nuk arriti të fitojë tituj gjatë sezonit të kaluar. Hoeness nuk ngurron të shprehë pakënaqësinë e tij për Tuchel, të cilin disa javë më parë e quajti "një katastrofë"./noa.al

