Siguria në shkolla, oficerja e sigurisë: Prindërit kërkojnë të pajisemi me detektor, ja si veprojmë në rastet e konflikteve

Martin Cani, vetëm 14-vjeç u vra më thikë mesditën e të hënës (18 nëntor) pas një grindjeje mes tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, duke rikthyer edhe vëmendjen tek siguria në shkolla.

Eva Hajdërasi, oficere sigurie në shkollën artistike “Jordan Misja” në Tiranë në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nënvizon se rastet e konflikteve në këtë shkollë janë sporadike dhe në të shumtën janë prej bullizmit.

Hajdërsi thotë se roli i oficerit të sigurisë në shkolla është që të vëzhgojë e më pas raportojë situatën, duke shtuar se nuk duhet të bëjnë rolin e “policit”, por të jenë bashkëpunues për t’i krijuar nxënësve një ambient të qetë për mbarëvajtjen e mësimit.

“Roli ynë konsiston në sigurinë në shkolla, sa i përket vëzhgimit, monitorimit dhe raportimit të situatave konfliktuale midis nxënësve. Ne kemi të drejtë deri në 50 metra që të vëzhgojmë situatën, për çfarë ka të bëjë me shkollën dhe me komunitetet përreth saj.

Përgjegjësitë tona konsistojnë në vëzhgimin e situatës dhe më pas raportimin e situatës. Nuk jemi këtu si “polic” në shkollë, por jemi bashkëpunues dhe për t’i krijuar nxënësve një ambient të qetë për mbarëvajtjen e mësimit”, u shpreh ajo për ATSH-në.

Sipas oficeres, në praktikën e saj rastet kanë qenë sporadike dhe më të shumta janë raste bullizimi.

“Problematika ka dhe do të ketë, por rastet janë sporadike, edhe për faktin që është shkollë arti. Nxënësit janë shumë të hapur, nëse duan ta shfaqin një problematikë ata shprehen si i mendojnë. Jemi munduar që këto raste t’i mbyllim në shkollë, por gjithmonë me dijeninë e prindërve”, u shpreh ajo.

Oficerja tregon edhe për reagimin pas ngjarjes së ndodhur të shkolla “Fan Noli”.

“Gjatë gjithë javës ishim në kontakt me nxënësit, pas ngjarjes që ndodhi. Ishim të shqetësuar për rastin që ndodhi, pasi dhe disa nga nxënësit i njihnin”- u shpreh Hajdërasi.

Por si veprohet në raste konfliktesh mes nxënësish?

“Si fillim ne e konstatojmë rastin, nëpërmjet nxënësve. Konstatohet situata problematike, raportojmë tek drejtoria e shkollës, bisedojmë me mësuesin kujdestar. Mësuesi kujdestar lajmëron prindërit. Në fund të orës së mësimit presim që të vijë prindi, bëjmë një mbledhje dhe jemi munduar kur rastet janë jo shumë problematike t’i mbyllim brenda për brenda midis prindërve, sigurisht nëse ata janë dakord që mos të referohet më lart, pra veprohet në bashkëpunim. Prindërit janë shumë bashkëpunues, po ashtu edhe mësuesit”- u shpreh Hajdërasi.

Suksesi i punës sipas saj, është bashkëpunimi me mësuesit, prindërit dhe nxënësit.

“Puna është në grup, nëse ke një qasje që t’i drejtosh gishtin qoftë personelit, qoftë nxënësit puna jonë ka mbaruar.  Që në fillim kur u ngrit si projekt pilot, ishin policë, por u pa që qasja nuk ishte e mirë, pasi roli i policit ishte më i rëndë. Ne jemi institucion arsimor dhe jo institucion riedukues. U pa që nuk funksiononte dhe u pa që oficerët e sigurisë të kenë një profil nga shkencat sociale, që të krijonte një ambient më të ngrohtë dhe fëmijët të jenë të qetë”- tha Hajdërasi.

Oficerja e sigurisë thotë se ka nevojë për përmirësim, ndërsa vetë prindërit kanë sugjeruar që ato të pajisen me një detektor.

“Sigurisht që ka nevojë për përmirësim. Neve shpesh na bëhen trajnime, dhe kemi dhënë sugjerimet tona. Specialistin e policiimit të zonës e kam shumë bashkëpunuese, po ashtu edhe prindërit janë bashkëpunues. Nga prindërit u bë dhe një mbledhje dhe na është kërkuar që çdo oficer police të ketë një detektor për të kontrolluar nxënësit, për mjetet prerëse apo diçka më të rëndë”- u shpreh Hajdërasi.

A e ka përmirësuar paketa e sigurisë situatën?

“Ka përmirësuar shumë, pasi qasja jonë është profesionale, nuk jemi për të vënë gishtin, por fëmija të jetë i sigurt në një situatë kur ai është i rënduar qoftë nga ana psikologjike, emocionale, por edhe kur është i kërcënuar fizikisht”- u shpreh Hajdërasi./ ATSH