Muzhaqi takim me dekanin e Fakultetit Ekonomik: Mbështetje të rinjve për tregun e punës
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi zhvilloi një takim me dekanin e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes.
Gjatë takimit, ministrja Muzhaqi dhe dekani Dosti diskutuan për mbështetjen që i ofrohet të rinjve, për t’i përgatitur ata për tregun e punës dhe botën e sipërmarrjes.
“Përmes programeve të përbashkëta, po punojmë të zhvillojmë mendimin kritik, kreativitetin dhe aftësitë inovative që iu duhen për të shkëlqyer në tregun global”, tha Muzhaqi.
Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes (GEW Albania 2024), që po zhvillohet nga 18-25 nëntor ka në fokus rritjen e ndërveprimit midis të gjithë aktorëve, rrjetëzimin, diversifikimin e financimeve alternative, fuqizimin e ekosistemit mbështetës, por mbi të gjitha transformimin e kulturës së të bërit biznes me qasje ndaj risive globale dhe krijimit të vlerës së shtuar për ekonominë.
Në Tiranë po organizohen mbi 50 aktivitete me mbështetjen e 35 partnerëve nga sektori publik dhe privat, bota akademike dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në vend.
