Starmer: Retorika e papërgjegjshme bërthamore e Putinit nuk do ta ndalë mbështetjen e BM-së për Ukrainën
Retorika e papërgjegjshme e Rusisë për armët bërthamore nuk do të pengojë mbështetjen e Britanoisë së Madhe për Ukrainën, tha kryeministri britanik, Keir Starmer.
Presidenti rus Vladimir Putin ka ulur pragun e armëve bërthamore në ditën e 1000 të luftës në Ukrainë, një ditë pasi SHBA-ja i dha vendit të shkatërruar nga lufta lejen për të përdorur armët e saj me rreze të gjatë për të qëlluar në Rusi.
“Kjo është një retorikë e papërgjegjshme që vjen nga Rusia dhe kjo nuk do të pengojë mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha Starmer në një konferencë shtypi në Rio de Zhaneiro pasi u pyet nëse britanikët duhet të përgatiteshin për një luftë bërthamore.
“Tani jemi në ditën e 1000 të një konflikti, kjo është 1000 ditë agresioni rus, 1000 ditë sakrifica në Ukrainë”, tha ai.
“Ne kemi qëndruar me Ukrainën që nga fillimi. Unë kam bërë të qartë se ne duhet të sigurojmë që Ukraina të ketë atë që nevojitet – për aq kohë sa duhet për të fituar këtë luftë kundër Putinit”, shtoi Starmer.
Starmer theksoi se deklarata nga udhëheqësit e G20 ishte absolutisht e qartë për kartën e OKB-së dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Downing Street e përshkroi më herët deklaratën e liderëve si “zhgënjyese” për qëndrimin e saj ndaj luftës në Ukrainë.
Putini nënshkroi dje një doktrinë të rishikuar bërthamore duke deklaruar se një sulm konvencional ndaj Rusisë nga çdo komb që mbështetet nga një fuqi bërthamore do të konsiderohej si një sulm i përbashkët ndaj vendit të tij.
Kjo erdhi pasi Uashingtoni dha dritën jeshile për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë dhe mes spekulimeve se Britania e Madhe mund të ndiqte shembullin me armët britanike “Storm Shadow”.

