Pentagoni: Nuk jemi të befasuar nga ndryshimi i doktrinës bërthamore të Rusisë
Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur ndryshimeve në doktrinën bërthamore të Rusisë, duke thënë se nuk janë të befasuar nga vendimi.
Ndryshimet që u miratuan dje nga presidenti rus Vladimir Putin vendosin kushte të reja në të cilat vendi do të konsideronte përdorimin e arsenalit të tij bërthamor.
Në një deklaratë, Zëvendës Sekretarja e Shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh tha se kjo është diçka që Rusia ka “sinjalizuar” se do ta bënte gjatë javëve të fundit.
“Është e njëjta retorikë e papërgjegjshme që kemi parë më parë dhe që e kemi parë sinqerisht gjatë dy viteve të fundit”, tha Singh. Ajo tha se SHBA do të vazhdojë të monitorojë situatën, por shtoi “nuk kanë asnjë indikacion se Rusia po përgatitet të përdorë një armë bërthamore brenda Ukrainës”.
Singh tha gjithashtu se SHBA nuk sheh ndonjë ndryshim që duhet bërë në pozicionin e saj bërthamor.