1,000 ditë luftë në Ukrainë/ Zyrtari amerikan: Putin ka dështuar të arrijë "qëllimet strategjike"

Pesidenti rus Vladimir Putin ka dështuar të arrijë “qëllimet strategjike” në më shumë se 1000 ditë lufte në Ukrainë, tha të mërkurën sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

“Ushtria më e madhe në Evropë ka pushtuar fqinjin e saj, i cili ka një inventar shumë më të vogël, shumë më pak kapacitet dhe 1000 ditë më vonë, ka arritur shumë pak sukses”, u tha Austin gazetarëve në Laos, raporton CNN.

“Kjo luftë ka vazhduar për 1000 ditë dhe Putin ka dështuar në çdo rast për të arritur asnjë nga qëllimet e tij strategjike”, shtoi ai.

Sipas tij, Ukraina i ka dëshmuar botës se është e mundur që një shtet më i vogël, me më pak kapacitet, të mbrojë sovranitetin e tij territorial, nëse popullsia e saj është e përkushtuar dhe nëse ka disa nga burimet që nevojiten për ta bërë këtë. 

"Disa nga agresorët në botë e kanë kuptuar se kjo nuk është aq e lehtë sa duket dhe se kjo ka koston e vet. Unë mund t'ju garantoj se autokratë në mbarë botën po e shikojnë këtë dhe po mbajnë shënime," tha ai.