Opozita mbështet krijimin e një fondi të qëndrueshëm për pensionet, jo vetëm për bonus

Deputetët e opozitës vlerësojnë si domosdoshmëri ngritjen e një fondi të veçantë, përmes së cilit mbështetet rritja e pensioneve në vend.

Kryeministri Edi Rama teksa prezantoi të hënën projektbuxhetin në Kuvend njoftoi se falë rritjes së qëndrueshme të ekonomisë, do të krijohet një fond pranë Bankës së Shqipërisë që në dhjetor, për një bonus të dytë për pensionistët, duke e quajtur “Bonusi i ri i pranverës”.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi gjatë seancës dëgjimore për pensionet dhe skemën e re që po diskutohet, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku e pranishme ishte zëvendësministrja e MEKI-t se krijimi i një fondi është një zgjidhje.

Por se ky fond nuk duhet të jetë vetëm për një bonus, por të shkojë për të mbështetur rritjen e pensioneve.

“Unë do të përshëndesja shumë krijimin e një fondi që të jetë i qëndrueshëm në kohë. Por shqetësimi është se ky fond i propozuar nga kryeministri është “one off”.

E kam dëgjuar kryeministrin për naftën e SHELL që nuk erdhi asnjëherë. E kam dëgjuar qeverinë që të njëjtën gjë tha edhe me taksën e energjisë.

Janë gjëra të cilat kemi vite që i diskutojmë këtu. Dhe gjërat që nuk kanë ndodhur ndonjëherë, dhe nëse ndodhin vetëm një herë në vit elektoral, sigurisht ndodhin për qëllime elektorale”, deklaroi Tabaku.

Tabaku theksoi se pavarësisht qëllimit për të cilin krijohen fondet speciale krijojnë precedent të rrezikshëm.

“Mbetet shqetësimi se krijimi i fondit është për qëllim elektoral. Jam gati ta votoj një fond për pensionistët dhe jam gati t’i mbush mendjen edhe opozitës që të votojë një fond të tillë.

Por jam kundër një fondi special. Ekziston vetëm te pronat dhe arsyeja se ka një ligj që e rregullon atë fond.

Fondi i pronave nuk zbatohet jo për arsye teknike, por sepse qytetarët janë kundër konceptit të heqjes dorë nga prona kundrejt një pagese prej 20 % të vlerës.

Fondet speciale krijojnë precedentë të rrezikshëm në buxhet, si Korporata e Investimeve, siç e krijon çdo lloj forme tjetër që del jashtë logjikës buxhetore, jashtë logjikës së administrimit të financave publike”, u shpreh deputetja Tabaku.

Ndërsa Dashamir Shehu, kryetari i LZHK-së, deklaroi se e vetmja formë për t’i dhënë përgjigje krizës së pensioneve të ulëta është krijimi i një fondi, por me fonde buxhetore. Sipas tij, rritja e borxhit publik nuk do të ishte një “dramë“ e madhe, në këtë rast.

“Është shumë e thjeshtë. Skema nuk është se nuk ka funksionuar, Skema nuk ka efektet pozitive që duhen, sepse nuk ka kontributet brenda. Është vetëm 10-vjeçare.

Edhe rritja e moshës së pensioneve do të ishte një mënyrë. Por kjo është një rezervë për të ardhmen, nuk zgjidh gjë sot.

Niveli i kontributeve është një tjetër element. Nuk shikoj rezervë të madhe financiare për të mbuluar këtë deficit. Ndërhyrja duhet të jetë drastike, por nuk duhet ngarë vija lineare e skemës. Zgjidhje do të ishte fondi, të cilit kryeministri i paska vënë emrin “Fondi special”.

Tani çështja shtrohet sa para do të vendosim në këtë fond për të realizuar këtë reformë. Propozoj 300 milionë euro. 160 milionë euro duhet të merren nga investimet. Kaq ishte mosrealizimi në 2023.

Po heq një gjë që nuk përdoret. 55 milionë euro i ka llogarit qeveria me indeksime dhe bonuse. 85 milionë euro të merren në tregun e brendshëm. Rrisin borxhin publik me rreth 0.4 %.

Po ne e kemi pasur borxhin 90 %. Sot kemi 55.8 %. Eurozona e ka borxhin publik 89 %. Përse duhet të ulim borxhin, për të marrë medalje? Kjo nuk do të ndikonte as në rankimin e vendit”, deklaroi Shehu.

Kjo, sipas Shehut, është zgjidhje politike, nëse ka vullnet qeveria që rreth 300 mijë pensionistë të marrin një pension prej rreth 250 mijë lekësh.

“Bëjeni edhe për vota. Merrini edhe votat dhe propagandën, por rrituni pensionet pensionistëve. Nëse ka vullnet politik bëhet. Aprovimin tim e keni me të dy duart”, deklaroi Shehi.