PAA, Duka: Presidenti e ka detyrim kushtetues të nisë konsultimet, PD do jetë vetë në takim

Presidenti i Republikës Bajram Begaj nis këtë të mërkurë konsultimet me partitë politike në funksion të dekretit për caktimin e dates së zgjedhjeve parlamentare.

Në takim, Begaj priti kreun e PR, PBDNJ, PDIU, LZHK, ndërsa të enjten do të presë përfaqësues nga PL.

Konsultat me dy partitë kryesore, PS dhe PD Presidenti do t’i zhvilloje më 25 nëntor.

Pas takimit, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka tha se është normale që presidenti të nisë konsultimet me partitë politike, pasi e përcakton qartë edhe Kushtetuta.

‘Kushtetuta përcakton 4 të diela, është normale që do të diskutohen. Mund të ndikojë edhe në zgjedhje, të mbyllësh fushatën me dt. 9, psh dhe kjo s’është normale.

PD do vijë vetë në takime e do konsultohëet vetë. Ne jemi në opozitë të gjithë’, u shpreh Duka.

Caktimi i datës së zgjedhjeve, praktikat në të shkuarën kanë treguar se është bërë me dakordësinë e palëve, ku Presidenti konsultohet për dy data të mundshme, që i parashtrohen përfaqësuesve të partive politike.

Në deklaratat publike, Partia Demokratike nuk ka shprehur ndonjë datë të preferuar se kur mund të mbahen zgjedhjet, ndërsa kreu i saj, Sali Berisha ka deklaruar se zgjedhjet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur.