Manjani: Reforma e re në skemën e sigurimeve nuk rrit moshën e daljes në pension
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani dha sot detaje mbi diskutmet që po kryhen për reformimin e skemës së pensioneve.
Manjani tha se një ndër propozimet e Bankës Botërore ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit, por se ky propozim, sipas saj, është kundërshtuar, pasi ky element është ezauruar në reformën e vitit 2014.
Sipas Manjanit, mund të diskutohet përshpejtimi i zbatimit të skemës së rritjes së moshës, por jo përtej 67 vjeç.
“Refomimi i skemës së sigurimeve shoqërore është shumë i rëndësishëm për të marrë parasysh faktorët që dikojnë skemën. Një ndër propozimet e BB ka të bëjë edhe me propozimin për rritjen e moshës së pensionit.
Ne e kemi kundërshtuar, pasi ky element është marrë parasysh në reformën e vitit 2014, ku ka nisur rritja për gratë dhe do të fillojë për burrat në 2032.
Në vitin 2056 do të ketë barazim të moshës, 67 vjeç për secilën gjini. E vetmja që mund të ndryshojë është përshpejtimi në zbatimin e skemës së rritjes së moshës së pensionit, por jo përtej 67 vjeç”, deklaroi Manjani.
