Bosi i farmaceutikës dëshmon për 4 orë në SPAK, Eduard Curraj për Ora News: Dëshmova për një çështje që s'ka lidhje me Beqaj
Eduard Curraj pronar i Deltapharma ka deshmuar në SPAK për më shumë se 4 orë.
Në këto pamje ekskluzive të siguruar nga gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj, Curraj është shfaqur i vetëm.
Në dalje nga SPAK ai nuk ka dhënë shpjegime për mediat por iu përgjigj interesit të gazetarit Vatnikaj.
Sipas një komunikimi të shkurtër ai ka treguar se ka dhënë shpjegime për një çështje por jo në lidhje me personin nën hetim Ilir Beqaj.
Por sipas infromacioneve ky i fundit del në dosje si lidhja më e afërt financiare me Eduard Curraj.
Në dhjetor të vitit 2023 një nga kompanitë farmaceutike “Delta Pharma” e lidhur ngushtësisht me Adriana Beqaj, bashkëshorten e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është bërë objekt i kontrollit të imtësishëm nga oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.
“Delta Pharma-Al” është një shoqëri farmaceutike e themeluar në vitin 2006 nga Tahir Sadiku, Dorian Sadiku, Eduart Curraj.
Por gjatë kalimit të kohës, Eduart Curraj mbeti aksioneri i vetëm i kësaj shoqërie farmaceutike.
Eduart Curraj, njihet në Tiranë si nipi i Vilma Nushit, një biznesmene që kontrollon konçesionin 10 vjeçar të analizave të gjakut.
Ndërkohë lidhja e “Delta Pharma” të Eduart Curraj me Adriana Beqaj, gruan e ish-ministrit bëhet përmes kompanisë “ALBANIAN FOOD AND HOSPITALITY LAB”.
Sipas gazetarit te Ora News Edison Vatnikaj, emri i Adriana Beqaj shfaqej tek kompania “Albania Food and Hospitality Lab”.
Tek kjo kompani e themeluar në vitin 2019, gruaja e Beqaj zotëronte 50 për qind të aksioneve.
Por pas 1 muaj nga themelimi i firmës, ajo ja ka dhuruar aksionerit tjetër Arti Malaj, 35 për qind të aksioneve.
Shitja e aksioneve të mbetura prej 15 për qind të kësaj kompanie, ka vijuar dhe në vitin 2020, duke hequr përfundimisht dorë nga kjo pasuri.
Shitja e aksioneve është kryer tek Arti Malaj, me vlerën 1 milion e gjysëm lekë dhe nuk është kryer përmes dhurimit.
Adriana Beqaj vendosi të dhuronte 35 përqind të aksioneve pa para, kurse një vit më pas shiti dhe pjesën e mbetur prej 15 për qind.
Ortak i vetëm i kompanisë “ALBANIAN FOOD AND HOSPITALITY LAB” mbetet Arti Malaj, zotërues për 100 për qind të kapitalit.
Këtu del në skenë dhe biznesmeni i “Delta Pharma” Eduard Curraj.
Një vit pasi Arti Malaj mori shumicën e aksioneve, më datë 12 gusht 2021, vendos të shesë 100 për qind të kuotave në favor të Eduard Curraj, kundrejt çmimit 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Përfituesi fundor i kompanisë që themeloi dhe shiti një muaj pas themelimit Adriana Beqaj, gruaja e ish-ministrit të Shëndetësisë, është dhe sot Eduard Curraj.
