Gripi sezonal, Silva Bino: 50% e dozave të vaksinës të përdorura në popullatë
Drejtuesja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino konfirmon për ATSH-në se jemi futur zyrtarisht në sezonin e gripit sezonal.
“Virusi i gripit identifikohet gjatë të gjithë vitit. Aktualisht kemi vënë re rritje të virozave respiratore, pra infeksioneve respiratore dhe kemi bërë izolim të virusit të gripit në disa raste. Ndërkohë, janë përdorur mbi 50% të dozave të vaksinës antigrip që janë shpërndarë nëpër qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Me prioritet mbetet vaksinimi në grupet e riskut dhe ata persona që e kanë më të rekomandueshme këtë lloj vaksine. Ne jemi akoma në proces vaksinimi në të gjithë vendin. Ka rritje të infeksioneve respiratore, çka tregon se jemi futur në sezonin e gripit”, thotë Bino.
Në qendrat shëndetësore ka nisur në 7 tetor vaksinimi falas kundër gripit, si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga ky virus. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, përmes rrjeteve sociale u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, pjesë e grupeve të riskuara nga gripet sezonale, të bëjnë vaksinën antigrip, e cila është falas.
Koçiu theksoi se në vetëm një muaj, 54% e dozave të shpërndara të vaksinave antigrip janë aplikuar, duke forcuar mbrojtjen ndaj gripit për këtë sezon. Ministrja Koçiu theksoi se “nga 280 mijë doza të dërguara në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, më shumë se gjysma janë administruar për të mbrojtur shëndetin e popullatës, veçanërisht grupet më të ndjeshme”.
Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.
Në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit janë siguruar 280 000 doza vaksinash të shpërndara tashmë në të gjithë vendin.
