Shënoi ndaj Malmos, Muçi pjesë e formacionit të javës në Europa League
Nga OraNews Përditësimi i fundit 8 Nëntor 2024, 15:02
Ernest Muçi është shndërruar në një nga pikat kyçe të ekipit të Besiktas, pavarësisht nisjes së keqe të sezonit. Muçi ka gjetur golin në tre sfidat e fundit që ka luajtur me “Shqiponjat” e Stambollit, duke shënuar në derbin përballë Gallatasaray, Kasimpasa dhe në Europa League, në fitoren 2-1 përballë Malmos.
Ylli kuqezi shënoi golin e avantazhit 1-0 për ekipin e tij dhe rrjeta e tundur, së bashku me performancën e lartë të treguar në fushë kanë bërë që Muçi të jetë pjesë e formacionit të javës në këtë kompeticion.
Forma e Muçit nuk është një lajm i mirë vetëm për Beshiktashin, pasi sulmuesi pritet të japë kontributin e tij edhe me Kombëtaren në ndeshjet e nëntorit përballë Çekisë dhe Ukrainës.


