Spiropali në Bruksel, takim me Metsola-n: Stad i ri bashkëpunimi me Parlamentin Europian

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë në Parlamentin Europian, në Bruksel, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Gjatë takimit me Presidenten Roberta Metsola, Spiropali shprehu urimet për rizgjedhjen në termin e dytë si Presidente dhe besimin se, gjatë këtij termi, bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian do të fuqizohet dhe do të kontribuojë në përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Spiropali vlerësoi qasjen shumë pozitive të PE-së dhe Presidentes Metsola për Ballkanin Perëndimor, e konkretizuar në vendimin e Byrosë së PE-së të korrikut 2024, për një prani të saj në rajon dhe i paraqiti Presidentes kërkesën që vendndodhja e kësaj prezence të jetë në Tiranë.

“Shqipëria është jo vetëm vendi avangardë, më i vendosur, me mbështetjen më të madhe popullore, por edhe me shpejtësinë më të madhe drejt anëtarësimit në BE, ndër të gjitha vendet e rajonit. Tirana po shndërrohet në një qendër europiane të rajonit”, tha Spiropali.

Sipas saj, “vokacioni europian dhe perëndimor i Shqipërisë është tashmë një realitet i njohur e pranuar botërisht”.

“Ne e kemi të qartë se anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në meritën dhe punojmë çdo ditë për ta merituar këtë. Mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në 15 tetor dhe çelja e negociatave për grup-kapitujt e parë “Themelorët”, ishte një konfirmim i qëndrueshmërisë së arritjeve, por edhe i vullnetit për avancimin me grup-kapitujt e tjerë”, shtoi ajo.

Po ashtu, Spiropali theksoi se Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë, për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomisë, integrimin në ekonominë dhe tregun europian dhe rritjen e mirëqenies.

“Kuvendi është maksimalisht i angazhuar në lidershipin e procesit të anëtarësimit, përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, kontrollin e monitorimin e zbatimit të reformave demokratizuese dhe integruese, mirëqeverisjes, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, pavarësisë së pushtetit gjyqësor, pandëshkueshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha ajo.

Spiropali theksoi po ashtu se Kuvendi po punon për hartimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit 2024 për Shqipërinë.

“Europa në Shqipëri dhe për shqiptarët është më shumë se një flamur që pret një yll më tepër në Bruksel. Është identiteti ynë, rrënjët tona, ëndrra jonë, destinacioni ynë. Anëtarësimi në BE, si një objektiv strategjik kombëtar, është një proces gjithëpërfshirës dhe Kuvendi po bashkëpunon në këtë proces me qytetarët, publikun, shoqërinë civile, grupet e interesit dhe median”, theksoi ajo.

Duke nënvizuar se këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe zgjerimi i bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Parlamentit Europian, Spiropali i propozoi Presidentes Metsola disa mekanizma konkretë të këtij bashkëpunimi si platforma të përbashkëta dialogu, komunikimi, programe për zhvillim kapacitetesh, për rritjen e transparencës dhe efektivitetit të veprimtarisë parlamentare etj.

Gjatë kësaj vizite, Spiropali, shoqërohet nga bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asoocimit Shqipëri-Parlamenti Europian dhe zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Toni Gogu, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha.