Hoxha: 20 % më shumë buxhet se viti i kaluar për Ministrinë e Brendshme. Alibeaj: Buxheti shkon për “rrush e kumbulla”
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në Komisionin e Sigurisë ka bërë një përmbledhje të projektbuxhetit të parashikuar për Ministrinë e Brendshme, për vitin 2025.
Gjatë fjalës së tij ministri i Brendshëm bëri me dije se ky është buxheti më i madh, që ka pasur Ministria e Brendshme, me rritje 20%, krahasuar me një vit më parë
“Në vlera nominale, buxheti i Ministrisë së Brendshme është 31 miliardë lekë, ose rreth 50 milion euro më shumë, krahasuar me vitin 2024”- tha ministri i Brendshëm.
Sipas ministrit, kjo rritje mbështet detyrat e strukturave që garantojnë rendin dhe sigurinë publike dhe përfshin financimin e projekteve të reja teknologjike për Policinë e Shtetit.
Duke u ndalur tek përdorimi i buxhetit, ministri theksoi se, veç pagave, mbulohen shpenzimet e personelit, e në mënyrë të veçantë pagesa e mbikohës së punës dhe orët e natës për strukturat e Policisë së Shtetit; efekti financiar i kompensimit ushqimor të punonjësve të Policisë së Shtetit për një vlerë rreth 1 miliard lekë; efekti financiar për fillimin e projektit të ri për uniformën e punonjësve të Policisë së Shtetit pasi për uniformën aktuale kontrata përfundon më 31 dhjetor 2024.
Gjithashtu nënvizoi ministri, buxheti 2025 garanton shpenzimet e domosdoshme, mirëmbajtje pajisjesh e sistemesh të teknologjisë dhe informacionit, blerje materiale e shërbime të tjera të nevojshme, por në mënyrë të veçantë garantohet angazhimi i strukturave policore në garantimin e procesit për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Shpenzimet për investime, janë theksoi ministri janë parashikuar në shumën 2,8 miliard lekë, me një rritje prej 51% në raport me planin e buxhetit të vitit 2024.
Sa u përket projekteve kryesore të financuara, Hoxha përmendi sistemin e kamerave për Smart City, projektet në vazhdim siç janë rikonstruksioni i disa drejtorive dhe komisariateve të Policisë në vend, si dhe ndërtimi i stacioneve të reja policore si dhe përmirësimi i sistemit të trajtimit të aplikimeve për qytetarët.
“Projektbuxheti që prezantojmë sot, siguron financimin e një projekti tepër të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, “Sistemi i Kamerave në administrim të Policisë së Shtetit-Smart City”. Ndër të tjera ai synon monitorimin dhe identifikimin në kohë reale të automjeteve, që qarkullojnë në akset rrugore të cilësuara me interes prioritar, si dhe në të gjitha Pikat e Kontrollit Kufitar.
Përmes këtij buxheti, financojmë disa projekte në vijim nga viti i kaluar, siç janë rikonstruksioni i Drejtorive të Policisë Elbasan dhe Berat; ndërtimi dhe rikonstruksioni i Komisariateve Sarandë, Krujë dhe Kurbin, si dhe i Stacioneve Policore Patos e Roskovec, në DVP Fier.
Financimet e tjera prekin projekte në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit, përmirësimin e sistemit të trajtimit të aplikimeve për qytetarët dhe subjektet tatimpaguese, ngritja e sistemit të menaxhimit të informacionit për Akademinë e Sigurisë Publike – eAkademia, etj”- u shpreh Hoxha.
Sa i takon Gardës së Republike, Hoxha tha se do të ketë një rritje prej 13%, duke përfshirë integrimin e sistemeve të vëzhgimit dhe blerjen e mjeteve.
Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore do të ketë rritje prej 3.4% për përmirësimin e mjeteve për hetime proaktive dhe analizë të dhënash.
Për Gjendjen Civile, ministri tha se investimet për infrastrukturën e Regjistrit Kombëtar pritet të rriten me 55%, duke përfshirë përmirësime të hardware dhe software, të nevojshme për proceset zgjedhore.
Programi “Prefekturat dhe funksionet e deleguara” sipas ministrit parashikohet një rritje prej 8% për të forcuar rolin e Prefektit dhe Këshillave Vendorë të Sigurisë.
Projektbuxheti nënvizoi ministri ka si qëllim të sigurojë burimet e nevojshme për përmirësimin e sigurisë publike dhe efecientë së strukturave të rendit, duke mbështetur gjithashtu procesin zgjedhor të pranverës së ardhshme.
Deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj reagoi sot ndaj ministrit të Brednshëm, Ervin Hoxha në seancë dëgjimore për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke deklaruar se rritja e fondeve do të shkojë për “dardha dhe kumbulla”.
Në Komisionin për Sigurinë ministri i Brendshëm Ervin Hoxha paraqiti parashikimet në buxhetin e vitit të ardhshëm për institucionin që drejton. Alibeaj e cilësoi të mirë rritjen me 20% të buxhetit, por kjo, tha ai, nuk do të thotë asgjë.
“Kur thuhet ka më tepër buxhet, për kaq vite qeverisje, mendoj se është buxhet që shkon për dardha dhe kumbulla”- u shpreh Alibeaj.
Alibeaj pyeti ministrin e Brendshëm për disa çështje kryesore për buxhetin e Ministrisë së Brendshme.
“Sa fonde janë dedikuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe pajisjeve teknologjike për policinë?”- pyeti Alibeaj.
Ministri nënvizoi se është parashikuar buxhet 60 milionë euro për investimin e Smart City.
“Në lidhje me Smart City, ju kërkoni informacion, dëshiroj të theksoj se është një nga projekte që e lartëson Policinë e Shtetit. Synojmë modernizmin e të gjithë sistemeve digjitale duke u përfshirë në një sistem. Kemi parashikuar buxhet 60 milionë euro për investimin e Smart City. Ky sistem është një sistem që do të kërkojë kohën e duhur në mënyrë që të kemi një sistem gjithëpërfshirës”- u shpreh Hoxha.
I pyetur nga Alibeaj në lidhje me buxhetin për trajnimin e policisë, Hoxha tha se janë parashikuar që të zhvillohen në Akademinë e Sigurisë me një buxheti prej rreth 5 milionë eurosh.
Alibeaj pyeti ministrin edhe për masat që do të merren që të mos abuzohet me financat.
“Marr si shembull SPAK që po heton dy nga skandalet më të mëdha, njëri me rikonstruksionin e objekteve të Policisë së Shtetit dhe tjetri për tenderin e uniformave të policisë. Cilat janë masat?”- pyeti Alibeaj.
Hoxha tha se janë çështje në hetim.
“Disa ish-punonjës janë aktualisht nën hetim për çështjet që ju përmendët, e para rikonstruksioni i disa godinave dhe komisariateve dhe çështja e dytë, hetimi ndaj disa punonjësve që kanë qenë pjesë e grupit të punës për uniformat. Janë çështje në hetim”- tha Hoxha.
Deputeti i opozitës, nënvizoi edhe disa nga arsyet se pse nuk do ta votojë këtë buxhet.
“Pse nuk e votoj unë këtë buxhet. Kam dashamirësinë më të madhe që ato 8000 persona të kenë mbështetje, por sot marrin tollona. Mendoni sa dinjitoze është kjo për policinë e shtetit. Edhe pse ka rritje me 20% nga viti i kaluar. Asnjë kryeministër e qa me pak ministër s’do ta bënte dysh fjalën ëpr më shumë investime në rritje për Rendin dhe Sigurinë. Kjo qeveri tregon se nuk e ka Rendin dhe Sigurinë primare. Prandaj ndodhin historitë e rikonstruktimeve”, tha Alibeaj
“Ku shkojnë 20%, këto shkojnë 60 mln euro për Smart City. Një nga fazat që e bën AKSH-i, ca para që dedikohen për ju shkon dhe i merr AKSH. Figura e policit sot është e nënvlerësuar. Shtylla e shtetit që është Policia e Shtetit jo nuk njeh një rritje të nivelit të pagave”- u shpreh Alibeaj.




