''Garë e ngushtë mes Trump dhe Harris'', Gjiknuri për "Ora News" nga Uashingtoni: Procesi për votën e Diasporës ka filluar, duket i mbarë

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri në një intervistë në "Ora News" u shpreh se zgjedhjet në SHBA do jetë një garë e ngushtë mes Trump dhe Harris, ndërsa për votën e Diasporës Gjiknuri theksoi se procesi në dukjet duket i mbarë dhe në rrugën e duhur.

Gjiknuri: Sot unë ndodhem në Uashington. Këtu rrotull janë shtete të tjera të rëndësishme që kanë efekt në zgjedhje siç është Virxhinia apo Maryland.

Këto ditë do të ndodhem këtu sepse kemi atë që quhet ‘’Deebrefing’’ nga Departamenti i Shtetit ku përcaktohen rregullat për observimin e zgjedhjeve dhe bëhet një hyrje ose një përmbledhje e situatës politike dhe si është situata e palëve në këtë proces zgjedhor dhe ditët e tjera do të lëviz në Bregun Perëndimor ku do të ndjekë nga afër procesin zgjedhor në ditën e votimit.

Megjithëse zgjedhjet në Amerikë kanë filluar pasi tashmë një pjesë e votuesve kanë votuar nëpërmjet postës dhe kjo është një risi që Amerika e ka aplikuar vitet e fundit, por po zbatohet shumë në këto zgjedhje krahasuar me vitin 2020.

Besoj se të gjithë e kanë ndjekur që fushata në Amerikë ka qenë e polarizuar.

Kemi një garë shumë të ngushtë, edhe sondazhet e tregojnë këtë. Pra nuk mund të thuhet me siguri se kush do të fitojë.

Janë shumë afër fitores, qoftë Trump, qoftë Harris. Të dy kandidatët janë shumë afër.

Sipas sistemit elektoral që ka SHBA, në fakt zgjedhjet këtu vendosen nga një grusht shtetesh të cilat shpesh herë përcaktojnë fatin e zgjedhjeve.

Janë 5-6 shtete ku gara është shumë e fortë, siç është Michigami, Pensilvania, Wiskonsin, Nevada, Xhorxhia apo Arizona.

Këto janë shtetet ku të gjitha sondazhet i tregojnë palët kacafytje le të themi fyt më fyt dhe janë brenda asaj që quhet hapësira e gabimit të sondazheve.

Gara është e ashpër, pasi edhe politika amerikane ka vite që është e polarizuar. Trumpi është një kandidat me natyrë polarizuese.

Kjo garë pritet me shumë interes jo vetëm nga qytetarët amerikanë, por edhe nga bota mbarë për shkak të impaktit që ka politika amerikane në rendin botëror në politikën ndërkombëtare.

Kuptohet që SHBA kanë pasur një politikë konstante ndaj Ballkanit Perëndimor.

Janë investuar për stabilitetin e këtij rajoni. Interesi amerikan nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim të madh.

Kështu që në këtë pikëpamje kushdo që të fitojë në SHBA nuk besoj se impakti do jetë i ndryshëm nga çka qenë deri tani.

Sa i përket procesit të përgatitjes së infrastrukturës së nevojshme për realizimin e votës së Diasporës, mendoj se ai process tashmë ka filluar.

KQZ ka aprovuar kohët e fundit edhe dy akte shumë të rëndësishme për procesin e votimit nga jashtë. Procesi në dukje duket i mbarë.

Natyrshëm që gjatë rrugës mund të ketë edhe problem politike se si e shikojnë palët këtë gjë por mendoj se jemi në rrugën e duhur.

Mbase është pak e ekzagjeruar pritshmëria që kanë në Shqipëri për pjesëmarrjen e Diasporës në këto zgjedhje pasi nuk besoj se do jenë ato numra meqenëse ne kemi mbi 1 milionë  e ca zgjedhës jashtë Shqipërisë do të mund të votojnë 1 milion.

Kjo jo vetëm që është e papërballueshme por mendoj se edhe interesi nuk do jetë aq i lartë për shumë shtetas që mbase nuk e kanë më interesin e mabrëvajtjes politike në Shqipëri.