VIDEO-LIVE/ "Mosbindje" kundër krimit në Shkodër/ Dogjani: E dhimbshme! Këto grupe kanë mbështetjen e policisë...

Mijëra qytetarë shkodranë i janë bashkuar thirrjes së opozitës për të marshuar në qytetin e Shkodrës kundër krimit politik i cili po merr jetë njerëzish të pafajshëm çdo ditë e më shumë, ku më së fundi u vranë tre persona në një atentat kriminal në mes të ditës

I pranishëm ishte edhe zyrtari i policisë, Asllan Dogjani, i cili tha për "Ora News" se autorët kanë gjetur guximin pasi mund të kenë.

"Në rradhë të parë dua të them se është e trishtueshme, e dhimbshme që të vish në Shkodër dhe të protestosh për një ngjarje të rëndë. Një masakër ku u vranë 3 persona, 2 të rinj dhe një nënë, e cila la 3 fëmijë në mëshirë të fatit. Një nënë e cila po kalonte për të punuar tokat bashkë me bashkëshortin e saj, i cili po lufton për jetën.

Të vish në Shkodër, në këtë perlë, ku në çdo cep ka histori, e të protestosh sot në 2024, sepse grupet kriminale guxojnë dhe nuk kanë frikën e shtetit e dalin e qëllojnë me armë në mes të Shkodrës të armatosur do të thotë që ngjarje të tilla nuk mund të ndodhin pa mbështetjen e policisë.

Do të thotë që këto grupe kanë mbështetjen e policisë, prandaj kanë marrë guximin dhe vrasin. E kanë bërë Shkodrën që të braktiset çdo ditë nga qytetarët e saj.

Kjo ngjarje ishte paralajmëruar, sepse 20 ditë përpara Bushtatit i ishte bërë atentat në mes të Shkodrës, në pedonale. Fakti që nuk është marrë asnjë masë për të zbuluar autorët do të thotë, që krijon bindjen e plotë që autorët kanë mbështetjen e plotë të policisë", u shpreh Dogjani.