Çela: Ngjarje të tilla japin mesazh se ky vend nuk bëhet, shpresa e vetme është goditja e krimit në prag zgjedhjesh...

Shkodra u trondit sot nga një atentat mafioz me 2 viktima dhe 2 të plagosur. Viktimat janë Hamza Lici dhe Flutura Basha, një kalimtare rastësore.

Ndërsa të plagosur kanë mbetur Arvit Bushati dhe Bashkim Basha, bashkësorti i gruas 60-vjeçare.

Breshëria e të shtënave i humbën Licit kontrollin e makinës duke përplasur çiftin e bashkëshortëve që po udhëtonin me motorr.

Flitet për një atentat për hakmarrje, pasi fisi Lici njihet për konfliktet në Shkodër me fisin e Bajrave.

Për të folur më tepër rreth kësaj ngjarje, në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte politologu Erlis Çela.

"Mesazhi është i qartë: Ikni. Këtu nuk ka shpresë dhe kjo është frika më e madhe. Duke ndodhur ngjarje të tilla të njëpasnjëshme njerëzit marrin mesazhin që ky vend nuk bëhet.

Unë do të ndalesha në një aspekt tjetër. Ne, nga një palë zgjedhje në një palë zgjedhje, të paktën politike apo edhe media në një farë mënyre e detyruar ose e përfshirë në raportim, harxhojnë kohë dhe energji në një retorikë që përqëndrohet te ideja se me çfarë garantohen zgjedhjet e lira të ndershme.

Në fakt zgjedhjet në Shqipëri garantohen vetëm me një gjë, duke përjashtuar krimin nga zgjedhjet. Të tjerat janë derivate të saj. Nëse ka një nder që mund ti bëhet këtij vendi, me aq sa shpresë ka ngelur është goditja e krimit tani, në prag të zgjedhjeve. Elementët që do të jenë determinant, përcaktues në zona të caktuar, në qarqe të caktuara, për të ndarë se kush do të rrij në pushtet ose kush do qëndroj në pushtet.

Mesazhi është i qartë: Ky vend ka vajtur kështu siç ka vajtur, shiko kokën tënde", u shpreh Çela.