Gonzato: Bashkëpunimi parlamentar, rol kyç për të çuar përpara anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvo Gonzato priti në një takim delegacionin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Parlamentin Evropian.

Gjatë takimit Gonzato theksoi se bashkëpunimi parlamentar luan një rol kyç për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Në takimin e KSA-së, theksova nevojën që Shqipëria të tregojë lidership të fortë politik dhe të sigurojë mbështetje të gjerë ndërpartiake për reformat në lidhje me BE-në, në mënyrë që të përparojë shpejt në negociatat e anëtarësimit”, u shpreh Gonzato në një postim në rrjetet sociale.

Në Tiranë u mbajt për dy ditë me radhë takimi i 18-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri, me pjesëmarrjen e dhjetë deputetëve të Parlamentit Evropian.